Shkruan: Sasho Ordansoki
[dropcap font=”arial” fontsize=”45″]D[/dropcap]o të doja sot ta shfrytëzoj kolumnën time ditore për një çështje të karakterit personal, por për të cilën, shpresoj, ka dimensione të caktuara shoqërore më të mëdha se interesi im privat.
Pra, desha ta pyes prokurorin publik kompetent dhe organet përkatëse hetimore dhe organet tjera për përndjekje, deri ku janë me hetimet për djegien e automjetit më 4 maj të vitit 2015, 40 minuta pas mesnate, në parkingun e pronës time në f.Bardovcë? Nën makinë, pasi që krimineli ka kërcyer mbi gardhin e lartë gati dy metra ( me siguri bëhet fjalë për më tepër veprues), është vendosur një lloj mekanizmi eksploziv i cili, pas aktivimit, me zjarr të fuqishëm e shkatërroi makinën, konstruksionin e çatisë së parkingut dhe një pjesë të gardhit. Vetëm duke u falënderuar fqinjëve ( të zgjuar në mes të natës nga fuqia e eksplodimit) dhe të brigadës zjarrfikëse, nuk u përfshi edhe shtëpia ime, dhe sipas të gjitha gjasave edhe shtëpia e fqinjëve. Për fat, kaluam vetëm me dëm material prej rreth 30 mijë euro.
Atë natë, unë arrita në vend pasi ishte fikur zjarri, e prita ekipin kujdestar të MBP dhe ekipin e policisë kriminalistike dhe ekipin forenzik, të cilët deri në orët e mëngjesit bënin inspektimin në vendin e ngjarjes. U vërtetua se bëhet fjalë për nxitje të zjarrit.
Nga ajo natë e deri sot, dy vite pas, nuk më kanë ftuar asnjëherë nga organet që e udhëheqin hetimin, të jap deklaratë ose të më informojnë për çfarë do në lidhje me hetimet. Madje nuk e di nëse në të vërtetë ka hetime.
Kuptohet se kam dyshime të qëndrueshme për atë se kush janë inspiruesit dhe porositësit ( madje edhe për kryesit, edhe pse edhe për këtë mund të jap informata të caktuara) të kësaj “përshëndetjeje” kërcënuese. Në ato vite të terrorit të forcuar, me qëllim nuk e informova opinionin për tërë ngjarjen e psitë, sepse i dija edhe metodat edhe qëllimet e atij ekipi: nuk e kishin qëllimin të më frikësojnë vetëm mua, por një pesë e llogaritur e atyre “operacioneve” ishte edhe të nxisin frikë në opinionin më të gjerë, të detyrohen gazetarët dhe protagonistët tjerë në opinionin kritik të Maqedonisë të fillojnë të jetojnë në paranojë nga mundësia për përndjekje nga ana e “dorës së gjatë” të asaj shoqate kriminele. Atë kënaqësi nuk desha tua jap, sidomos pasi që nuk isha i pari ndaj të cilit aplikonin metoda të këtilla, dhe kjo nuk ishte as hera e parë e as e fundit të bëjnë pisllëqe të këtij lloji. Përkundrazi. Dëshmuam në transmetim të drejtpërdrejtë televiziv se çfarë janë të gatshëm të bëjnë.
Për shembull – supozoj se Milenko ( dhe ai nuk është i vetmi) mendon se do t’ia harroj thirrjet që mbi mua ( me emër dhe mbiemër!) të vendoset pllakë e madhe betoni, pasi do të më vendoste në një gropë të thellë, që e publikonte adresën e vendbanimit tim me kërcënim të hapur se do të më vizitojë me “aradhen e tij ndëshkuese”, që publikonte fotografi të familjes time ( po, me fëmijët në foto) në emisionin e tij të turpshëm…E, po, kjo punë është personale, më personale nuk mund të jetë.
Prandaj, jam i sigurt se në ato vite, marrëveshja për këto punë të pista, kushdo që qëndron pas tyre, është e shënuar në sistemin për përgjim të cilin e instaloi, udhëhoqi dhe e shfrytëzoi policia sekrete e “ prej – lloçi-po- qofsh-Sasho” Mijallkov. Nuk e di se nën cilin prioritet janë këto raste në PSP, por kisha dashur ti përkujtoj se edhe unë pres në “rendin” për zbardhjen e këtyre krimeve, si dhe për kompensim të dëmit, moral dhe material, deri në paren e fundit që do tua nxjerr nga xhepat.
Sipas kësaj, kuptohet se pres përgjigje se deri ku kanë mbetur hetimet për ngjarjen që e përshkruajta më lartë?
Dhe, dua të them, është mirë që edhe në këto zgjedhje vendore të gjithë ta bëjnë këtë orvatje të domosdoshme, të dalin dhe të votojnë për preferencat e tyre politike. Sepse puna në Maqedoni jo vetëm që nuk është e kryer, por as që ka nisur – kush si e kupton atë detyrë! Ja një shans, edhe një herë të numërohemi.