Kategoritë

Kontesti Po ndërtohet strategji për vazhdimin e bisedimeve me Bullgarinë

Strategjia adekuate se si të qaset, adaptimi i aktiviteteve në bisedimet e mëtutjeshme dhe komunikimi për tejkalimin e dallimeve në bisedimet me Sofjen fqinje, është prioritet i ekipit qeveritar për eurointegrime, i kryesuar nga kryeministri Zoran Zaev, në ditën e parë të vitit 2021.

Në takimin koordinues, dje të gjitha këto çështje ishin në rend dite, në mënyrë që të mos humbet asnjë ditë për zgjidhje të çështjeve të hapura me Bullgarinë gjatë kryesimit të Portugalisë me BE-në, por edhe sepse e tërë dinamika dhe kalendari ynë ishte gati për përfundim të suksesshëm gjatë kryesimit gjerman.

Ministri i Punëve të Jashtme, Bujar Osmani ka pritje të mëdha edhe nga kryesimi portugez me Këshillin e BE-së kur është në pyetje miratimi i kornizës negociuese për Maqedoninë e Veriut. Në kontaktet fillestare që i kanë pasur me kryesimin portugez, u tregua qëllimi serioz që të vazhdohet procesi për zgjerim që mbeti nga kryesimi gjerman me BE-në.

Tani për tani, informoi ai, nuk është dakorduar takim me ministren e Punëve të Jashtme Ekaterina Zaharieva në kontekst të bisedimeve për tejkalim të problemeve. Megjithatë, Osmani konsideron se takim do të duhej të ketë me rastin e nevojës për mbajtje të konferencës së parë ndërqeveritare, që duhet të caktohet në muajt e parë të vitit, dhe me rastin e ftesës për iniciativë trilaterale.

Jemi të gatshëm të fillojmë që sot me komunikimin, deklaroi dje Osmani, duke shtuar se është me rënësi të mos humbet asnjë ditë në mënyrë që të kapen afatet e ardhshme për samitet të cilat vijnë për negociata me BE-në.

“Nuk kemi kurrfarë rezerve lidhur me atë çështje, qëndrimet tona janë të qarta, janë përpunuar propozime të shumta gjatë periudhës së shkuar. Disa prej tyre janë komunikuar me Bullgarinë dhe pres ato të jenë bazë për vazhdimin e mëtutjeshëm të bisedimeve. Është e saktë se propozimi i fundit ishte nga ana jonë, për të cilin akoma nuk kemi marrë përgjigje. Gjithnjë derisa nuk ka sinjale inicuese se ato propozime nga cila do anë mund të jenë të pranueshme për të dyja palët dhe mund të bëhen bazë për marrëveshje, nuk do të mund të hyj në detaje sepse janë në fazë të propozimeve dhe ideve të njëanshme”, tha ministri i Punëve të Jashtme, Bujar Osmani.

Nuk ka optimizëm se mund të zgjidhen çështjet e hapura me Sofjen para zgjedhjeve parlamentare në mars në këtë shtet. Sipas kryeministrit Zaev, si periudhë zgjedhore, nuk është momenti adekuat për zgjidhje të çështjeve të ndjeshme politike, por megjithatë duhet bërë përpjekje menjëherë. Është mirë, kjo periudhë, deri më 28 mars, konsideron Zaev, të shfrytëzohet për zbatim të Planit të Aksionit dhe për realizim të projekteve të planifikuara infrastrukturore si vendkalimi Klepalo de Korridori 8.

Mund t’i kuptoj pikëpamjet, të bisedojmë madje edhe për të kaluarën, theksoi dje kryetari i Qeverisë së Maqedonisë së Veriut dhe edhe njëherë përsëriti se nuk mund ta kuptojë problemin me Bullgarinë, sepse, potencoi, politikanët duhet ta hapin të ardhmen.

“Unë këmbeva urime me të gjithë kryeministrat në mënyrë që ta urojmë vitin e ri, gjithsesi edhe me kryetarin e Qeverisë së Republikës së Bullgarisë. Besoj se bashkëpunimi dhe raporti i mirë, komunikimi i rregullt mund të jenë vetëm përparësi për gjetjen e zgjidhjes së secilës çështje para së cilës ndodhet vendi ynë”, porositi Zaev.

“Plani i aksionit i është parashtruar Bullgarisë, presim përgjigje. Ato janë ide të cilat mund të plotësohen. Plani i aksionit del nga Marrëveshja për miqësi dhe është në interesin tonë, ndërsa qëllimi i tij është bashkëpunimi më intensiv”, theksoi Zaev gjatë pjesëmarrjes së mbrëmshme në ditarin e TV Sitel.

Aktivitetet e paralajmëruara të Buçkovskit, Osmanit dhe Dimitrovit, tha Zaev, do të jenë në këtë drejtim.

Çështjet  historike, theksoi, duhet edhe t’i lihen Komisionit,  ndërsa çështjet e  identitetit,  përsëriti edhe njëherë,  nuk guxon dhe nuk do të jenë në tryezën e negociatave. Atë, tha, e di edhe pala bullgare dhe këtu nuk ka dilema.

Plotësoi edhe se në lidhje me gjuhën maqedonase, Bullgaria mund ta japë mendimin e saj  derisa  nuk i pranon zyrtarisht  gjuhën dhe popullin maqedonas,  edhe pse çdo ditë kryeministri, presidenti i shtetit dhe ministri i Punëve të Jashtme flasin për  gjuhën maqedonase dhe identitetin maqedonas.