Në prag të miratimit të kornizës negociuese midis Maqedonisë së Veriut dhe Bashkimit Evropian, u përsëritën qëndrimet e përfaqësuesve bullgarë dhe të Maqedonisë, si dhe mesazhet nga diplomatët se Bullgaria nuk duhet të ndalojë procesin e pranimit në BE, por edhe për rëndësinë e parimit të barazisë gjuhësore të unionit.
Do të ishte për keqardhje nëse Bullgaria e pengon procesin e inkuadrimit të Republikës së Maqedonisë së Veriut në Bashkimin Evropian, konsideron diplomati amerikan, Xhejms Perdju, ish ambasador në Sofje dhe një nga ndërmjetësuesit në bisedimet për Marrëveshjen e Ohrit.
“E di se është joshëse Bullgaria të tentojë ta përdorë pozicionin e saj si anëtare e BE-së, derisa Maqedonia e Veriut tenton të merr anëtarësimin. Por, nuk jam i sigurt nëse ia vlen të krijohet armiqësi mes qeverive të dy vendeve dhe popujve te tyre”, ka thënë Perdju.
Ai ka thënë se interes kombëtar i Bullgarisë është që Maqedonia e Veriut të jetë anëtare e NATO-s dhe e BE-së dhe prandaj Sofja duhet ngushtë të bashkëpunojë me Shkupin.
“Kryeministri i Maqedonisë së Veriut është njëri shumë progresiv. Ai kishte guximin të arrijë marrëveshje me Greqinë për kontestin e emrit. Unë jam shumë i impresionuar nga ai. Ai bën punë shumë të mirë për vendin e tij. Do të ishte për keqardhje që Bullgaria të pengojë procesin e inkuadrimit të vendit në BE për shkak të historisë dhe gjuhës. Në fund të fundit, ne poashtu flasim anglisht, por nuk kemi dëshirë që t’i imponohemi Anglisë. Çdo vend mund ta konsiderojë gjuhën e tij si të dojë. Kontestet historike asnjëherë nuk janë zgjidhur përfundimisht. Shkencëtarët debatojnë me shekuj. Le ta përfundojnë punën e tyre. Ka mënyra se si ta bëjnë atë- dy palët kanë aq gjëra të përbashkëta”, ka thënë Perdju.
Diversiteti gjuhësor është i përfshirë në të drejtën evropiane dhe kartën e të drejtave themelore dhe në marrëveshjen për themelimin e BE-së. Bashkëjetesa e gjuhëve në BE është simbol i fuqishëm për aspiratat e Unionit për unitet përmes diversitetit, ka deklaruar euroambasadori Dejvid Gir në hapjen e konferencës së tetë ndërkombëtare “Në pragun e të ardhmes: Çka pas vitit 2020” të organizuar nga Shoqata e përkthyesve dhe interpretuesve të Republikës së Maqedonisë së Veriut.
Përkthyesit dhe interpretuesit ka thënë ai janë link i rëndësishëm mes BE-së dhe Maqedonisë së Veriut që në hapat e parë të vendit drejt rrugës evropiane.
“Në Evropë diversiteti gjuhësor është pjesë e jetës së përditshme. Ky diversitet është burim i forcës dhe pasurisë. BE ka rreth 450 milionë qytetarë, 27 vende anëtare, tre alfabete dhe 24 gjuhë zyrtare. 60 gjuhë tjera janë pjesë e trashëgimisë së BE-së dhe fliten në rajone të caktuara ose nga ana e grupeve të caktuara”, ka thënë ambasadori Gir.
Zëvendëskryeministri për Çështje evropiane, Nikolla Dimitrov ka thënë se shumëgjuhësia është thelbi i BE-së, ndërsa parim i barazisë gjuhësore të BE-së me 24 gjuhët e saja zyrtare dhe mbi 500 kombinimeve të mundshme gjuhësore, përkthimi dhe interpretimi i vendos si kusht të vetëm për funksionimin e saj të papenguar.
“Në pajtueshmëri me politikat e tilla të BE-së për barazi gjuhësore dhe autenticitet edhe gjuha maqedonase do të ketë status të gjuhës së barabartë dhe zyrtare të Unionit në momentin kur shteti jonë do të bëhet anëtare e plotfuqishme. Për shkak të kasaj, përkthimi i akteve juridike të BE-së patjetër të përgjigjet me standardet e gjuhës maqedonase, ndërsa ta paraqesë frymën e euro- zhargonit me të cilën do të sigurohet pasurim por edhe mbrojtje e gjuhës sonë”, ka thënë Dimitrov.
Përkthimi i i të drejtës së BE-së, ka shtuar ai, nuk është dhe nuk do ta konsiderojmë vetëm si “aktivitet të juaj të punës”, por edhe si politikë e zhvillimit të gjuhës maqedonase dhe terminologjisë.
Republika e Maqedonisë së Veriut nuk është e gatshme të fillojë bisedimet për anëtarësimin në BE, pasi Qeveria në Shkup po përpiqet të mos zbatojë Marrëveshjen me Bullgarinë për më shumë se tre vjet, tha zëvendëskryeministri bullgar dhe ministër i Mbrojtjes Krasimir Karakaçanov.
Sipas tij, përparim nuk është bërë në asnjë nga pikat e kësaj Marrëveshjeje, të nënshkruar më 1 gusht të vitit 2017.
“Nuk mund ta kuptoj pse disa vëzhgues të jashtëm ndërhyjnë. Bullgaria nuk aplikon për anëtarësim. Bullgaria është shtet anëtar, Maqedonia aplikon për anëtarësim në BE dhe duhet të jetë e qartë se detyrimet që ka marrë me marrëveshjet e lidhura, siç është Marrëveshja e Shkupit e 1 gushtit të vitit 2017, duhet të respektohen. Në Maqedoni, megjithatë, duket se ekziston dhe vazhdon të ekzistojë ideja që dikush do të bëjë presion mbi Bullgarinë në minutën e fundit dhe se Bullgaria do të dorëzohet”, deklaroi Karakaçanov.
Sipas Karakaçanovit, vendi që tani është kandidat për anëtarësim po “sillet në mënyrë agresive” duke treguar “pretendime të dukshme ndaj Bullgarisë – për pakicat, vjedhje të historisë, gjuhë urrejtjeje kundër Bullgarisë”.
“Imagjinoni Shkupin nesër në BE – kush do të përfitojë nga kjo? “Bullgaria patjetër do të humbasë nëse ka një fqinj si Maqedonia, e cila është anëtare e NATO-s dhe BE-së dhe ka një ton dhe sjellje të tillë,” tha Karakaçanov.