Kategoritë

#TëBashkuarNëDallime Në fillim ishte fjala…

Shkruan: BESA ARIFI

Fëmijët kur lindin nuk dinë të flasin. Ata mësojnë të flasin duke u rritur. Fëmijët nuk dinë as të urrejnë. Edhe urrejtjen e mësojnë duke u rritur. Fëmijët kur lindin njohin vetëm dashurinë. Këtë dinë ta shprehin shumë mire, në çdo shikim, në çdo shprehje, në çdo veprim. Të rriturit i mësojnë fëmijët shumë gjëra, mes të cilave edhe të urrejnë.

Asnjë fëmijë nuk del vetvetiu në rrugë për të brohoritur në mënyrë spontane “Shqiptar i vdekur, shqiptar i mirë”. As edhe një. Këto shprehje nuk shfaqen vetvetiu në fjalorin e një të riu adoleshent emocionet e të cilit shprehin natyrshëm dashurinë, por duhet të kultivohen në mënyrë të veçantë dhe me këmbëngulje për të shprehur urrejtjen. Sepse urrejtja mësohet ndërsa dashuria vjen vetvetiu. Të mbjellësh urrejtje në zemrat e të rinjve, ti indoktrinosh ata ti urrejnë për vdekje bashkëmoshatarët e tyre është jo vetëm mëkat, është krim. Prandaj edhe ekziston në legjislacionin tone penal grupi i krimeve të urrejtjes. Këto krime fillojnë nga diçka që quhet “gjuha e urrejtjes”, ajo gjuhë pra, e cila kultivohet me këmbëngulje nga të rriturit, nga ata të cilët funksiojnë me mendësi diskriminuese, nga ata të cilët mendojnë se janë më të mirë se të tjerët, më superior se të tjerët dhe se të tjerët nuk janë sa duhet njerëz për tu përballur me ta.

Gjuha e urrejtjes shpërndahet si barishte e keqe në kopshtin e një shteti multietnik ku duhet të lulëzojnë lule me ngjyra të ndryshme. Vetëm i tillë është i bukur kopshti, kur ka lule me ngjyra të ndryshme dhe jo vetëm të një lloji. Maqedonia e Veriut është një kopsht i bukur shumëngjyrësh për ata që duan ta shohin si të tillë. Por për fat të keq për disa do të ishte më i bukur sikur të kishte vetëm lule të verdha dhe asnjë të kuqe, vetëm një lloj trëndafili dhe asnjë lule tjetër. E megjithatë ky vend ka qenë gjithmonë shtëpi e më shumë njerëzve, më shumë etniteteve, më shumë ngjyrave, më shumë gjuhëve, më shumë besimeve. Kjo llojllojshmëri ka qenë gjithnjë karakteristikë e këtij vendi, por jo për të gjithë kjo ka pasur domethënien e përparësisë. Sepse për disa diversiteti është përparësi, është vlerë që duhet kultivuar, e për disa ky diversitet është mallkim. Ata të cilët këtë diversitet e përjetojnë si mallkim mbjellin gjuhën e urrejtjes tek të rinjtë dhe i mësojnë ata të brohorisin fraza fashiste dhe suprematiste në mes të ditës, në mes të rrugës, në qendër të kryeqytetit të një vendi që duhet të funksionojë si kopsht i lulëzuar shumëngjyrësh.

Dikujt kjo mund t’i duket si një rast trivial, i parëndësishëm. Vetëm disa të rinj që nuk dinë çka flasin, vetëm një gursht i të pandriçuarve që janë në huti. Por nuk është ashtu, fjalët e thëna janë më të rënda se kaq, pasojat e tyre janë afatgjate, ndërsa dhimbja që ato shkaktojnë mbjell farën e mosbesimit dhe pasigurisë.

Në fillim të gjithçkasë ishte fjala. Prandaj fjala e thënë ka peshë të madhe, pavarësisht kush e thotë atë, një i ri i kequdhëzuar, apo një njeri në moshë të pjekurisë. Fjala është ajo që shpreh atë që kemi ne zemër. Fjala na tregon atë që e duam me gjithë shpirt. Prandaj fjala ndonjëherë është vrasëse e besimit. Edhe sikur ajo që thuhet me fjalë kurrë të mos realizohet, mjafton që një herë të ketë kaluar në mendjen tonë, në shpirtin tonë në zemrën tonë, ka dalur nga gjuha jonë e është drejtuar ndaj një njeriu tjetër, një komuniteti tjetër. Fjala është në esencën e shoqërisë si dhe fjala është përbërësi kryesor i urrejtjes e cila po të mos trajtohet mund të arrijë përmasa të pakufishme dhe pasoja të tmerrshme.

Në diskursin tone edukativ, shkollor dhe politik nuk guxon të ketë vend për gjuhën e urrejtjes. Mediat sociale janë të stërmbushura jo vetëm me të pavërteta por edhe me shumë urrejtje. Një shtet multietnik nuk e ka luksin të tolerojë gjuhën e urrejtjes. Sepse ashtu si te të gjitha gjërat, edhe tek urrejtja filli është tek fjala. Një shtet multietnik nuk e ka luksin të ketë tekste shkollore ku njëra etni shihet si supreme ndaj tjetrës. Një shtet multietnik nuk e ka luksin të tolerojë intelektualë me kariera të pasura akademike të mbjellin frikë mes njerëzve dhe të imponojnë teza fashiste për supremaci etno-nacionaliste dhe gjuhësore. Një shtet multietnik nuk mund të lejojë që diversiteti të trajtohet si hendikep në vend që të njihet botërisht si përparëesi, si vlerë esenciale e ekzistencës në këtë botë. Një shtet multetnik që aspiron të bëhet pjesë e familjes së madhe evropiane nuk mund të lejojë që brenda tij të kultivohen antivlera të urrejtjes dhe të përhapet padurim, frikë dhe pasiguri mes qytetarëve. Esenca e vlerave evropiane është barazia dhe mbrojtja nga diskriminimi. Këto vlera bazike nuk mbrohen përmes urrejtjes por përmes luftës këmbëngulëse kundër saj.

Gjuha e urrejtjes luftohet duke krijuar një mendësi që përkrah diversitetin. Kjo mendësi krijohet në ambiente të shëndosha edukative ku fëmijët mësojnë jo vetëm për njëri tjetrin, por me njëri tjetrin dhe nga njëri tjetri. Gjuha e urrejtjes luftohet duke u përballur me argumente kundër atyre që mbjellin urrejtje dhe duke i deklasuar si persona anakronikë të cilët tani më kanë shkatërruar shumë gjëra në histori dhe të cilët nuk duhen lejuar që të shkatërojnë edhe të ardhmen. Gjuha e urrejtjes luftohet duke u thënë “Ndalo!” të gjithë atyre që e mbjellin atë. Ky aq sa është obligim i shtetit, po aq është obligim i secilit prej nesh. Sepse secili prej nesh ka forcën e fjalës. Urrejtja mbillet me fjalë, por poashtu me fjalë zhduket.

Kjo përmbajtje është pjesë e Nismës “Të bashkuar në dallime”, kushtuar promovimit të dallimeve si përparësi, pasuri dhe cilësi e shoqërisë  tonë. Nismën e udhëheq CIVILi, me mbështetje nga Ministria për punë të jashtme dhe çështje evropiane e Dukatës së Madhe  Luksemburg.