Kategoritë

POLITIKË Osmani dhe Zaharieva bashkëkryesues në takimin e shefave të diplomacive të Procesit të Berlinit

Shefi i diplomacisë Bujar Osmani dhe homologia e tij bullgare Ekaterina Zaharieva do të bashkë-kryesojnë takimin e ministrave të jashtëm të Procesit të Berlinit për Ballkanin Perëndimor, si pjesë e bashkë-kryesimit të procesit nga Maqedonia e Veriut dhe Bullgaria.

Takimi i ministrave të jashtëm do t’i paraprijë takimit të samitit nesër në Sofje, ku do të nisë Plani i ri i veprimit për krijimin e një tregu të përbashkët rajonal dhe agjendën e gjelbër për Ballkanin Perëndimor, të përgatitur nën kryesimin e Komisionit Evropian dhe Këshillit të Bashkëpunimit Rajonal.

Për shkak të situatës me Kovid-19, takimi i ministrave të jashtëm do të organizohet përmes video konferencës, organizuar nga MPJ-ja bullgare.

Bashkëkryesuesit e takimit në formë onlajn janë shefi i diplomacisë Bujar Osmani dhe homologia e tij Bullgare Ekaterina Zaharieva. Takimi do të përfshijë një sesion plenar, i cili do të diskutojë mundësitë dhe sfidat me të cilat përballet Procesi i Berlinit për Ballkanin Perëndimor në kontekstin e masave të ndërtimit të besimit dhe për të përmirësuar bashkëpunimin rajonal, duke përfshirë lidhjen më të mirë të njerëzve me njerëz dhe të infrastrukturës.