Maqedonia e Veriut në raportin më të ri të “Fridom Haus” të titulluar “Liria në botë 2021”, ka indeks vjetor të lirisë prej 66 nga njëqind pikë të mundshme, që është për tre pikë më shumë se vitin e kaluar dhe është renditur midis pesë shteteve me rritje më të madhe të indeksit në botë dhe me kërcënim më të lartë në Evropë.
Me vlerësim 66, Maqedonia është renditur në grupin e shteteve “pjesërisht të lira”, ku, mes të tjerave, ndodhen edhe të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor, si dhe Hungaria, Ukraina, Moldavia, Gjeorgjia, Armenia, India dhe Meksika.
Lidhur me liritë politike vendi ka indeks 27 nga 40 pikë të mundshme, ndërsa në lidhje me liritë civile 39 nga 60 pikë të mundshme.
Në raport theksohet se Qeveria e rizgjedhur e kryeministrit Zoran Zaev ka bërë kthesë lidhur me kthimin mbrapa shumëvjeçar paraprak të demokracisë në vend, me ç’rast theksohen vlerësime pozitive nga BE-ja për reformat në gjyqësi, si dhe se nevojitet të vazhdojë përdorimi i mundësive ligjore për përforcim të pavarësisë së gjykatave.
“Qeveria reformuese e Maqedonisë së Veriut ishte rizgjedhur dhe institucionet e saj në një masë të madhe janë përballur me dëmet e shkaktuara nga ish-kryeministri në arrati Nikolla Gruevski”, theksohet në raport.
“Fridam Haus vëren përparim në mbështetjen e shoqërisë civile dhe konstaton se puna e organizatave joqeveritare është e lirë për dallim nga periudha deri në vitin 2017.
Në raport është theksuar edhe se rritet numri i mediave kritike dhe të pavarura, veçanërisht në platformat onlajn, por theksohet se edhe gazetarët punojnë në kushte të presionit politik, se hapësira mediatike në vend është polarizuar, si dhe se një pjesë e mediave private janë lidhur me qendra të interesave politike dhe afariste.
“Qeveria e re e kryeministrit Zoran Zaev e ndryshoi edhe regresin demokratik, por vendit edhe më tej i është shkurtuar mundësia të bëhet anëtare e Bashkimit Evropian” shtohet në raport, në të cilin vlerësohet se vendi edhe krahas vlerësimeve dhe rekomandimeve pozitive nga institucionet evropiane ende nuk i ka filluar negociatat për anëtarësim në BE.
Si një nga ngjarjet e rëndësishme në vend në vitin 2020 në raport janë potencuar zgjedhjet parlamentare në korrik, të cilat, siç theksohet, sollën fitore të ngushtë të LSDM-së në pushtet para VMRO-DPMNE-së opozitare. “Zgjedhjet ishin konkurrente, të besueshme dhe u zhvilluan pa incidente të mëdha, ndërsa LSDM-ja menjëherë formoi koalicion qeveritar me partitë më të vogla”, citohet në dokument.
Mes ngjarjeve kryesore janë veçuar edhe miratimi i ligjit të ri për prokurorinë publike, i cili “ishte pjesë e qëllimit vijues të reformave të kahëzuara drejt fillimit të negociatave për anëtarësim në BE, si dhe vendimi i Unionit për fillim të negociatave inkuadruese”.
“Në tetor, BE-ja ka sinjalizuar se është e gatshme t’i fillojë negociatat inkuadruese para fundit të vitit. Në nëntor, qeveria bullgare e bllokoi fillimin e bisedimeve”, shtohet në raport.
Një pjesë është përkushtuar edhe në ballafaqimin me krizën e koronës, me ç’rast potencohet se autoritetet miratuan masa të ndryshme për kufizim të lëvizjes dhe aktiviteteve tjera si përgjigje e pandemisë me Kovid-19, ndërsa kah fundi i vitit ishte vendosur gjendje e jashtëzakonshme.
“Shkelësit e masave sanksionohen me para, por nuk ishin të nënshtruar në dhunë ose forma tjera të trajtimit jo të përkatës. Sipas Institutit për Shëndet Publik, deri kah mesi i dhjetorit në vend janë konfirmuar 75.500 raste me Kovid-19”, citohet në raport.