Kategoritë

INTEGRIME Perdju: Përfundoi koha e maltretimit të Maqedonisë së Veriut

Ish-ambasadori amerikan i SHBA-së në Bullgari dhe një nga bashkautorët e Marrëveshjes së Ohrit, Xhejms Perdju në një intervistë për Dojçe Velen tha se Bullgaria duhet të jetë mbështetëse e anëtarësimit të Maqedonisë së Veriut në BE, e jo kundërshtare, duke theksuar njëherësh se “ka përfunduar koha për maltretimin e Maqedonisë së Veriut”.

“I ndjek ngjarjet në Ballkan. Dhe ndjehem i afërt edhe me Bullgarinë dhe me Maqedoninë e Veriut. Mendoj se është gabim që Qeveria bullgare ta bllokojë procesin i cili do të sjellë anëtarësimin e Maqedonisë së Veriut në Bashkimin Evropian. Përkundrazi, Bullgaria duhet të jetë mbështetëse e anëtarësimit të Maqedonisë së Veriut në BE, e jo kundërshtare. Sepse hyrja e Maqedonisë së Veriut në BE është pjesë e interesit afatgjat kombëtar të Bullgarisë. Jam i sigurt se Departamenti i Shtetit mbështet zgjidhje të shpejtë të problemeve mes Bullgarisë dhe Maqedonisë së Veriut, edhe pse tema kryesisht ka të bëjë me Bashkimin Evropian dhe anëtaret e saj”, tha Perdju.

I pyetur se si mund të duket dalja nga situata dhe a ka mundësi që të dyja vendet së shpejti të arrijnë marrëveshje Perdju thekson se interes afatgjat kombëtar i Bullgarisë është që të ketë marrëdhënie të mira me fqinjët në kushte të vlerave të përbashkëta demokratike. Anëtarësimi në BE, thekson, e inkurajon këtë. Bullgaria dhe shumë persona në Maqedoninë e Veriut kanë histori dhe kulturë të përbashkët, por Bullgaria është komb më i prosperuar dhe ka përparësi me anëtarësimin në BE në realizimin e qëllimeve të saj. Të dyja vendet janë aleate natyrore dhe mund të punojnë bashkë për të ardhme të prosperuar, nëse ua kthejnë shpinën disa çështjeve më pak të rëndësishme”, thekson Perdju.

Nacionalistët në Bullgari, shton, e panë se si Greqia e shfrytëzon anëtarësimin e saj në BE që të bëjë presion ndaj Maqedonisë së Veriut. Dhe ata vendosën që ta zbatojnë të njëjtën strategji. Por, koha e maltretimit të Maqedonisë së Veriut përfundoi, potencoi Perdju.

Çështjet për historinë dhe gjuhën, shton, nuk janë mjaftueshëm të rëndësishme që t’i arsyetojnë marrëdhëniet armiqësore mes të dyja vendeve. Në fund të fundit, Maqedonia e Veriut është vend sovran. Dhe asnjë shtet nuk duhet të ketë të drejtë të detyrojë një komb tjetër që ta ndryshojë historinë e tij. Historianët dhe ekspertët le t’i sqarojnë pikat e kundërta me kalimin e kohës. Në ndërkohë, Sofja duhet ta mbështesë, e jo ta bllokojë kandidaturën e Maqedonisë së Veriut për BE. Gjithçka tjetër është shkurtpamëse, tha Perdju për Dojçe Vele

Leave a Comment

You must be logged in to post a comment.