Kategoritë

KOVID-19 Mbajtja e maskës mbrojtëse e obligueshme edhe në vend të hapur, për mosmbajtje gjobë prej 20 eurove

Mbajtja e  mbrojtjes në fytyrë bëhet e obligueshme për qytetarët me ndryshimet e reja të Ligjit për mbrojtje të popullatës nga sëmundjet ngjitëse,  që mbrëmë i miratoi Kuvendi. Kjo masë do të vlejë për lëvizje në  vendet publike  dhe sipërfaqet  e llojit të hapur dhe të mbyllur, në tregje, në transport publik dhe gjatë hyrjes në hapësira të mbyllura si institucionet shtetërore, marketet, dyqanet, bankat, postat, korridoret, institucionet shëndetësore etj, kumtoi Ministria e Shëndetësisë.

Qytetarët, siç potencohet, do të duhet të mbajnë maskë respiratore, maskë kirurgjike për përdorim të njëfishtë, maskë të tekstilit e ripërdorshme, shall të mëndafshtë, shall nga pambuku dhe ngjashëm.

Masa  nuk do të vlejë gjatë aktiviteteve sportive në hapësirë të hapur ose në vend të mbyllur me respektim të protokolleve  specifike për mbrojtje, gjatë vozitjes  në automjet udhëtues privat nëse shoferi është vetë ose  me persona me të cilët  së bashku jeton,  gjatë qëndrimit në oborr të shtëpisë familjare, ose në një objekt hotelerik  me respektimin e protokolleve për mbrojtje. Masat për mbajtje të maskës nuk vlejnë për personat  më të vegjël se gjashtë vjet  dhe personat me nevoja të veçanta dhe  me pengesa në zhvillim. Për mosmbajtje të maskës në vend të hapur është parashikuar  gjobë në para prej 20 eurove, informojnë nga Ministria dhe apelojnë që qytetarët t’i respektojnë  masat për mbrojtje nga Kovid-19.

Mbajtja e maskës, mbajtja e distancës fizike dhe larja e duarve janë masat e vetme të cilat mund ta parandalojnë përhapjen e virusit. Të bëhemi përgjegjës dhe të vetëdijshëm, ta ruajmë shëndetin tonë,  por edhe shëndetin e më të afërmve tonë, potencojnë nga Ministria e Shëndetësisë.