CIVIL – Qendra për Liri angazhohet për shoqëri në të cilën mbizotëron liria, barazia dhe drejtësia, shoqëri në të cilën qytetaret dhe qytetarët do të ndjehen të lirë, ku siguria, liria e lëvizjes dhe liria e shprehjes janë të garantuara me ligj dhe funksionim efikas të sistemit.
Një shoqëri në të cilën grupe të caktuara vazhdimisht bëjnë thirrje dhe ushtrojnë dhunë mbi qytetarët, nuk mund të jetë shoqëri e shëndoshë. Thirrjet e vazhdueshme për dhunë ekstreme janë pasojë e mosndëshkimit të vendosur nga pushteti i kaluar, por edhe mosndëshkimi që vazhdoi edhe pas rënies së regjimit.
Strukturat radikale në vend papenguar dhe pa u ndëshkuar përhapin urrejtje mbi baza etnike, fetare dhe politike. Shembujt e mesazheve në rrjetet sociale, mediat dhe grafitit, si dhe në protesta të caktuara në të cilat dominojnë qëndrime ekstremiste dhe thirrje për dhunë ekstreme, janë në numër të madh.
Vetëm një nga klithjet e shumta të përditshme të urrejtjes dhe thirrjeve për dhunë është edhe mesazhi për grupet tifozë të “mobilizohen”. “Me shkopinj, piroteknikë, shufra, molotov kokteje, të merremi me policinë shqiptaro – severxhane, t’i thyejmë në dajak, e pastaj të shohim se si e pse, a është hyrje e dhunshme ose diçka më radikale”. Ky fjalor nuk është incident i izoluar, por është trend në komunikimin publik të strukturave radikale në Republikën e Maqedonisë.
Civili i dënon ashpër gjuhën e urrejtjes dhe thirrjet për dhunë dhe kërkon nga institucionet sanksionimin e menjëhershëm dhe të ashpër të të gjithë individëve dhe grupeve që përhapin urrejtje dhe bëjnë thirrje për dhunë. Kërkojmë nga institucionet të reagojnë ashpër, me vendosmëri dhe efikasitet, dhe t’i marrin në përgjegjësi edhe strukturat më të larta udhëheqëse të partive politike të cilat në mënyrë të drejtpërdrejtë ose të tërthortë i inkurajojnë individët dhe grupet radikale në vend.