Kategoritë

DËSHMI Vasfija, viktima që e theu akullin për përdhunimet në luftën në Kosovë

Asnjë grua e mbijetuar nga dhuna seksuale gjatë luftës në Kosovë kurrë nuk ka folur publikisht deri në vitin e kaluar, kur Vasfije Krasniqi Goodman, kosovare që jeton në Teksas – SHBA,  ka postuar në faqen e saj në Fejsbuk  një letër të hapur për njeriun që e përdhunoi atë në vitin 1999, gjatë okupimit serb në Kosovë.

Vasfije Krasniqi Goodman ka thyer një tabu në shoqërinë kosovare pasi është bërë gruaja e parë, viktimë e dhunës seksuale gjatë luftës së Kosovës, e cila mbrëmë  ka rrëfyer publikisht në RTK tmerrin e përjetuar kur është përdhunuar nga forcat policore serbe në vitin 1999.

Vasfija, 36-vjeçarja e cila jeton në Teksas të Shteteve të Bashkuara, me lot në sy ka rrëfyer për torturat që kishte përjetuar gjatë luftës si 16-vjeçare. Ajo ështe përdhunuar nga dy serbë: njëri prej tyre polic i regjimit të Slobodan Millosheviqit. Rasti ka ndodhur në fshatin Babimovc të Vushtrrisë.

Ajo ishte marrë nën kërcënimin e armëve nga shtëpia e saj më 13 prill  të vitit 1999, nga një burrë me uniformë të Policisë së Serbisë. Tregimin e saj e ka filluar në faqen e saj në Fejsbuk, që t’i fuqizojë dhe inkurajojë edhe gratë tjera kosovare viktima të dhunës seksuale,  të shprehen publikisht për dhunën e përjetuar gjatë luftës në Kosovë.

“Më 14 prill të vitit 1999 kam qenë në oborr dhe kam hyrë brenda dhe i kam thënë nënës të dalë dikush  që ta hapë derën. Dikush jashtë derës na tha ‘hapeni  derën’… edhe është dashtë me e hapë”, nis rrëfimin, 36-vjeçarja Vasfije. “Ne nuk e dinim nëse erdhën të na vrajnë, ose të bastisin,  ai pyeti se ku janë babai dhe vëllau. Nëna i tha që janë në Gjermani, e ai më tha: ‘Jo nuk janë në Gjermani, por kanë shkuar në luftë’.”

“Ai hyri brenda dhe më pastaj më mori mua, më tha se do të shkojmë për të dhënë deklaratë në polici”, tregon Krasniqi-Goodman.

Në këtë intervistë për Televizionin Publik të Kosovës, Vasfije Krasniqi Goodman thotë se nuk ka dashur të shkonte me policin serb. “Nuk doja të shkoja, por ai më kapi dhe më futi në një makinë 101-sh të kaltër.”

16-vjeçarja Krasniqi e kishte kuptuar që diçka e keqe do t’i ndodhte asaj në momentin kur vetura të cilën po e ngiste zyrtari policor serb nuk po shkonte në drejtim të stacionit të Policisë në Vushtrri, por diku tjetër.

“Ai nuk vazhdoi drejtë ku është stacioni i Policisë, por ka vazhduar në drejtim të Prishtinës. Unë e dija por se kuptoja se çfarë do të ndodhë me mua, sepse unë kam qenë fëmijë, 16-vjeç. Dhe ka ardhur në fshatin Babimovc, ka qenë një kishë aty, fshati ka pasur shumë serb”, vijon rrëfimin kosovarja 36-vjeçare.

“Në atë moment unë vetëm doja të vdisja nga plumbi edhe asgjë tjetër. Vetëm të më  vret”, thotë Krasniqi-Goodman me lot në sy.

Vasfija thotë se polici serb i kishte thënë se nuk do ta vriste për një arsye të vetme: që të vuante më shumë. “E ndali makinën dhe më detyroi t dal nga makina  në një fushë misri. Më hedhi në tokë  dhe ajo çfarë  ndodhi pastaj nuk mundeni ta merrni me mend.  Dorën e majtë e kishte  të lidhur,dhe më thonte : ‘Nuk të vras sepse kështu do të vuash më shumë”, shprehet ajo.

Tmerri i asaj dite për Vasfijen nuk ishte kryer me kaq. Ajo shprehet se ishte dhunuar seksualisht edhe nga një person  tjetër i veshur me rroba civile

“Pastaj u kthye në makinë dhe ka erdhi  një burrë tjetër; ai nuk ka qenë me rroba të policisë, por me rroba civile. Më ka dërguar në një shtëpi tjetër afër shitores së fshatit Babimovc. Kur u kthye ky i vjetri prap në makinë dhe ka kaluar një ushtar aty. I thash  se  unë dua vetëm të shkojë në shtëpi. Ai më tha ‘mos trego ku ke qenë, tregoju në shtëpi se ke qenë të japish deklaratë në polici. Më tha se  nëse u tregon familjarëve, do të vrasim! ”, rrëfen Vasfije Krasniqi-Goodman.

36-vjeçarja, e cila kishte qenë vetëm 16-vjeçare në kohën kur i ishte nënshtruar torturave dhe dhunimit seksual, tani jeton në Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe është nënë e dy fëmijëve.

Rreth 700 gra të dhunuara gjatë luftës janë verifikuar nga Komisioni Shtetëror për Verifikimin e Viktimave të Dhunës Seksuale. Ndërkaq, ky status i është refuzuar 103 grave të cilat dyshohet se kanë aplikuar në mënyrë të rrejshme.

Dhuna seksuale, në veçanti përdhunimet  e kryera mbi vajzat dhe gratë gjatë luftës në Kosovë, ende janë temë tabu në shoqërinë kosovare. Gratë kosovare viktima të dhunimit seksual i nënshtrohen heshtjes për përjetimet e tyre makabre, nga kërcënimi i stigmatizimit nga shoqëria dhe dëbimi nga familjet e tyre.

Dijana Tahiri