Kategoritë

Seminar shkencor për multikulturën dhe shumëgjuhësinë

“Multikultura, multilingualizmi dhe interkultura” është titulluar seminari shkencor ndërkombëtar të cilin sot e organizon Universiteti “Nënë Tereza” në Shkup.

Ministri i Arsimit dhe Shkencës, Arbër Ademi tha se MASH-i mbështet çfarëdo lloj aktivitete të cilët kontribuojnë në ruajtjen e këtyre vlerave posaçërisht, tha, në shoqërinë tonë multikulturore.

“Për shkak se fuqimisht besojmë se nëse duam bashkim dhe unitet, duhet të mësojmë të jetojmë në një bashkësi me të tjerët të cilët janë më ndryshe nga ne. Ky është virtyt, kjo është epërsi dhe është bazë e gjithë progresit shoqëror”, theksoi ministri i Arsimit, duke shtuar se një ngjarje e këtillë është e mirëseardhur që të dëgjohen pikëpamjet e bashkësisë akademike rreth kësaj çështjeje të rëndësishme.

Ministri i Kulturës, Asaf Ademi nënvizoi se bëhet fjalë për vlera të cilat janë karakteristike për shtetet e Bashkimit Evropian.

“Ne, qytetarët e Republikës së Maqedonisë, jemi të mësuar të jetojmë afër njëri-tjetrit dhe më së paku jemi bilingualë. Për këtë arsye, i inkurajoj të gjitha institucionet, ndërsa posaçërisht universitetet, të organizojnë konferenca të këtilla ku do të vijmë deri në konkluzione konkrete”, tha ministri i Kulturës.

Sipas akademikut, Luan Starova, i cili është midis folësve në seminar, multikultura dhe shumëgjuhësia si kategori me rëndësi universale janë vlera të cilat dalin nga toleranca.

“Teza ime kyçe është se toleranca ndërfetare, e cila ekziston prej para shumë kohësh tek shqiptarët, është faktor për mbijetesën e tyre në kontekst të ndërtimit të marrëdhënieve të mira të bashkëjetesës me popujt me të cilët ose afër të cilëve ata jetojnë. Për këtë ka shembuj nga e kaluara të cilët janë pozitiv dhe shikojnë drejt ardhmërisë. Multukultura dhe multilingualizmi gjithnjë e më shumë imponohen në këtë botë të dominimit të mondializimit, ku çdo ditë fshihen dallimet. Megjithatë, për shumë popuj, si edhe tek ne, këto dallime janë frymëzuese dhe kanë rëndësi të kodit që ekziston me shekuj”, theksoi Starova.

Rektori i Universitetit “Nënë Tereza”, Aziz Pollozhani deklaroi se kanë nëntë folës në konferencën njëditore, qëllimi i të cilës është t’i afirmojë këto vlera tradicionale të cilat, tha, në globalizim fitojnë dimensione të tjera.

“Duam që kjo konferencë e parë të bëhet tradicionale dhe përmes qasjes akademike t’i afirmojmë këto vlera midis të rinjve, por edhe më gjerë. Ligjëruesit që marrin pjesë nga aspekte të ndryshme do t’i shqyrtojnë këto çështje – jo vetëm kontekstin historik, por edhe sfidat e reja të cilat janë para nesh lidhur me multukulturalizmin, multilinguizmin dhe interkulturën si një punë shumë shoqërore në zhvillimin e popujve të vegjël”, tha Pollozhani. 

Në vijim të këtij seminari për Interkulturën në kohën e Skënderbeut, rilindjes dhe sfidat bashkëkohore me fjalime do të dalin edhe profesorët universitarë, Zeqirja Neziri, Ali Jashari, Avzi Mustafa, Mustafa Ibrahimi, Mirjana Maleska, Gjylimsere Kasapi, Sefer Tahiri, Kosta Milkov dhe Rizvan Sulejmani.

Në seminarin shqiptarët dhe Evropa me rastin e “Vitit të Skënderbeut”, në përkujtim të 550-vjetorit të vdekjes së Gjergj Kastriotit – Skënderbeut do të sillen vështrime shkencore dukuri në rajon dhe më gjerë, duke hedhur një dritë mbi traditën e multikulturalizmit dhe multilinguizmit si dhe për të vlerësuar cilësinë e interkulturalizmit mes popujve të rajonit.