Dëshmitari Abdulfetah Alimi në seancën e sotme i njohu dy të akuzuarit për sulmin ndaj deputetit Zijadin Sela në Kuvendin e Republikës së Maqedonisë më 27 prill të vitit të kaluar.
Alimi i cili ishte sjellë në seancë nga paraburgimi si dëshmitar i prokurorisë, i ka identifikuar Aleksandar Janevskin – Toshta dhe Kire Georgievskin.
Alimi i cili ka qenë pjesë e sigurimit në Kuvend më 27 prill tha se ka ardhur në pres-sallën kuvendore prej se ka hyrë turma. Ka vërejtur sulm ndaj deputetëve të papërgatitur.
“Zaev veçmë kishte gjak dhe turma e njerëzve ka hedhur karrike dhe sende të tjera, ishte një kaos. Kërkohej gjak shqiptari, këto fjalë vinin nga turma. Aq sa mundëm me kolegët i mbrojtëm deputetët dhe gazetarët. Turma ishte aq e fuqishme sa që jeta jonë ishte e rrezikuar në çdo moment”, tha Alimi.
Nuk ka parë dikë se si personalisht e godet Selën, por ka parë se si gjuajnë me karrige. Potencoi se ka pasur edhe njeri që ka qëndruar pranë Selës dhe ka luajtur ngrohtë- ftohtë, përkatësisht i ka qetësuar njerëzit nga turma, ndërsa me fytyrë ka qenë i kthyer drejt Selës dhe deputetëve. Tha se ai person është në seancë dhe gjykata konstatoi se ai është Aleksandar Janevski.
Dëshmitari e njohu edhe një person i cili ka qenë në pres qendrën dhe nuk ka pasur maskë – i akuzuari Kire Georgievski.
Tha se para se ta nxjerrin nga pres salla e ka parë Selën se si qëndron pranë derës. Herën tjetër kur e ka parë Selën, ai veçmë ka qenë i tëri i mbuluar me gjak dhe i shtrirë përtokë në klubin e deputetëve. Ka menduar se është i vdekur. Ka pasur shumë njerëz dhe njëri me bluzë të bardhë e ka goditur me shkelm Selën në anën e djathtë dhe ka thënë “lëreni ky është i vdekur”. Tha se nuk kujtohet për personin por mendon se ai person ka pasur bluzë të bardhë në kokë. Pastaj së bashku edhe me dy persona të tjerë e kanë dërguar Selën në bufe, ia kanë dhënë ndihmën e parë mjekësore dhe kanë pritur të vijë mjeku. Nëpër dritaren e bufesë e kanë nxjerrë Selën, i cili mezi ka ecur dhe nuk ka qenë në vetëdije dhe vetëm ka pyetur në gjuhën maqedonase se ku e dërgojnë, ndërsa ai ia ka kthyer se është në duar të sigurta. E kanë dërguar Selën në një zyrë në katin e tetë dhe kanë thirrur mjek. Pas ndihmës së parë mjekësore, Sela është dërguar në bodrumin kuvendor, e kanë maskuar si polic dhe me automjet të blinduar të policisë e kanë dërguar në spital.
Para gjykatës sot duhet të japin deklarata edhe dëshmitarët Muhamed Zeqiri dhe Igor Janakiev.
Në gjykimin e kaluar që zgjati gjashtë orë, ishin dëgjuar tre dëshmitarë, kryetari i Kuvendit të RM-së Talat Xhaferi, ministri i Shoqërisë Informatike dhe Administratës Damjan Mançevski dhe deputeti i LSDM-së, Aleksandar Kiracovski.
Në këtë rast të akuzuar janë edhe Kire dhe Ceo Gjeorgjievski, Oliver Oshavkovski, Sasha Cenkov, Nikollçe Dimitrievski, Aleksandar Janevski-Toshta, Andrej Micov, Nikolla Vojminovski, Kosta Delov dhe Stojan Pavlovski-Kobra.
Të akuzuarit për tentim vrasje të deputetit Zijadin Sela në seancat paraprake u shpallën të pafajshëm. Ata para Gjykatës thanë se e kuptojnë akuzën, por nuk ndjehen fajtorë dhe se ata do ta dëshmojnë në procedurën e mëtutjeshme.
Burimi: MIA
Përmbajtjet që i merr Civili nga burime tjera nuk i nënshtrohen licencës Creative Commons 1.0, e cila përndryshe është e zakonshme, për përmbajtjet të cilat i plason kjo platformë mediatike. Ju lutemi, konsultohuni me buruesit për marrje të përmbajtjeve të tilla.