Konstelacioni politik në Maqedoni është i ndërlikuar dhe tepër serioz, ndërsa gjendja e sigurisë është e brishtë. Dalja nuk shihet! Vazhdojnë protestat nën moton “ Për Maqedoni të përbashkët”, me pjesëmarrës anëtarë të vërtetuar të VMRO – DPMNE, por edhe të qytetarëve mbështetës të politikave të tyre. Kërkesa e tyre parësore është tërheqja e të ashtuquajturës platformë e Tiranës. Javën e kaluar edhe VMRO-DPMNE solli Manifestin, me të cilin në mënyrë deklarative vendos theksin mbi demokracinë, ruajtjen e unitetit të shtetit, stabilitetit politik, rritjes së ekonomisë…LSDM pa ndërprerje paralajmëron “ardhjen e qeverisë së re reformiste”, e cila do ta kthen demokracinë, sundimin e drejtësisë, konsolidimin e sistemit shëndetësor, arsimit…
Seancë konstitutive maratonike në Kuvend
Sot u mbajt vazhdimi i gjashtë i seancës konstitutive në Kuvendin e Maqedonisë. Edhe më tej, në rend të ditës është debati për zgjedhjen e presidentit , zëvendësin e presidentit, anëtarët dhe zëvendësit e tyre të Komisionit për çështje të zgjedhjeve dhe emërimeve. Në fillim janë paraqitur për diskutim të pikës së parë, 51 deputetë. Vërejtje procedurale dhe debate mes vete për atë se kush çfarë ka bërë për shtetin dhe për qytetarët, janë arsyet kryesore që kjo seancë të bëhet maratonike.
Derisa deputetët e VMRO – DPMNE kërkojnë refuzimin e të ashtuquajturës platformë të Tiranës ose shpalljen e zgjedhjeve të reja parlamentare, bashkë me ato lokalet, nga LSDM janë të vendosur se duhet të zgjidhen anëtarët e komisionit. Pastaj, kërkojnë të zgjidhet presidenti i Kuvendit dhe të votohet Programi për Qeverinë e ardhshme.
Manifesti i VMRO –DPMNE, tentim i pasuksesshëm për kthimin e Gruevskit?
Në kohë të protestave masive të qytetarëve kundër të ashtuquajturës platformë të Tiranës, për të cilët është e qartë se janë t[ë mbështetur nga anëtarësia dhe simpatizuesit e VMRO – DPMNE, kjo parti ka miratuar edhe Manifestin për bashkim kombëtar për çështje që janë me interes të përbashkët për qytetarët. VMRO-DPMNE ofron model zgjedhor të shumicës, ose bonos prej 20 deputetëve për fituesin në zgjedhjet parlamentare. Në këtë mënyrë, vlerësojnë nga partia, do të arrihet stabilitet politik.
Duke përkujtuar se ky është viti 2017, e jo viti 1903, LSDM akuzon se udhëheqësia e VMRO-DPMNE është e përbërë nga kriminelë të cilët kërkojnë shpëtim për lëkurën e tyre: “Shpëtimtarë të shtetit janë qytetarët që zgjodhën ndryshime. Për këtë arsye, Manifesti i ashtuquajtur i VMRO-DPMNE nuk është asgjë tjetër pos tentimit të pasuksesshëm për kthimin e Gruevskit të defaktorizuar në jetën politike”.
LSDM kërkon transfero urgjent dhe të qetë të pushtetit. Analistët në disa medie nacionale e vlerësuan Manifestin si “taktikë hipokrite dhe strategji manipuluese e cila nuk ofron dalje nga kriza”.
BDI mendon t’i tërheqë të gjithë ministrat nga Qeveria
Akuzat për tërheqjen e të gjithë ministrave të BDI nga Qeveria teknike shkaktuan reagime edhe mes partive parlamentare, por edhe në opinion. Sipas ekspertëve, ekziston rreziku që Maqedonia të përballet me vakum juridik nga i cili do të dilet rëndë.
Partitë nga shumica parlamentare janë me qëndrim se tërheqja e BDI nga Qeveria teknike, posaçërisht në ministritë në të cilat nuk ka zëvendës – ministra, siç është MPB, do të shkaktojë probleme serioze. Nga njëra anë, nuk ka kush t’i konstatojë dorëheqjet në Kuvend. Ndërsa, fakti që nuk është zgjedhur folësi i ri i parlamentit, është frenim për zgjedhjen e Qeverisë së re.
Sipas Besës, kjo është dredhi e BDI, me të cilën nuk zhbllokohet Kuvendi, por në mënyrë plotësuese komplikohet gjendja politike. Nga Aleanca për Shqiptarët vlerësojnë se është hipokrizi dhe joparimore që BDI nga njëra anë ta mbështesë Zaevin në formimin e Qeverisë së re, ndërsa nga tjetra, ta ndajë pushtetin me VMRO-DPMNE.
VMRO-DPMNE kërkon nga BDI t’i shpjegojë më qartë vendimet e veta. Nga LSDM mbetën të përmbajtur për komente të veprimeve më të reja, të paralajmëruara nga Reçica e Vogël.
Partia “Dinjiteti” kërkoi që ministrat e VMRO-DPMNE të japin dorëheqje të parevokueshme, në vend se të jenë në koalicion me ata të cilët sipas tyre, i kërcënohen Maqedonisë.
Kriza po thellohet, qytetarët të shtyrë në margjinat
Ndjekja e të gjitha hollësirave të partive relevante politike në Maqedoni, vizitat, hapat e reja të bashkësisë ndërkombëtare – me qëllim të zgjidhjes më të shpejtë të krizës politike, u shndërrua në përditshmëri e pothuajse të gjithë qytetarëve. Për fat të keq, në këtë konstelacion, jeta reale e qytetarëve është e shtyrë në margjinat. Rreth 200 punëtorë në fabrikën “Lear”, e hapur në Zonën për zhvillim teknologjik të industrisë( ZZHTI) Tetovë si investim i huaj, janë helmuar me stafilokokë, sipas informatave të para nga Agjencia për ushqim dhe veterinari.
Rreth 250 punëtorë tjerë nga fabrika “Zona Triko” nga Vinica, në protesta kërkojnë pagesën e tetë rrogave të mbetura nga viti i kaluar, pasi që në llogaritë e tyre të transaksionit u është paguar rrogë neto prej 1 denarë edhe atë vetëm për katër muaj!
Një numër i madh i banorëve viktima të përmbytjeve (06 gusht, 2016) në fshatin Stajkovcë të Shkupit, reagojnë dhe ankohen se avansi i qeverisë nuk mjafton për rregullimin e dëmeve dhe adaptimin e sërishëm të vendbanimeve të tyre.
Mirëpo, për ministrin për punë dhe politikë sociale, Ibrahim Ibrahimi, nuk ka arsye që disa banorë ende të jenë të akomoduar nëpër strehimore, pasi që kushtet e motit lejojnë të kthehen nëpër vendbanimet e tyre.
Kush do ta presë “nyjen gordiane” për Maqedoninë?
Çdo hap në dhe i partive parlamentare, veçanërisht të VMRO-DPMNE dhe liderit Nikolla Gruevski dhe i LSDM dhe liderit Zoran Zaev është nën mbikëqyrje të bashkësisë ndërkombëtare. Prej atje vijnë porosi tepër të vendosura, se Presidenti Gjorge Ivanov duhet t’ ia japë mandatin Zoran Zaevit, pasi e fitoi besimin e 67 deputetëve, shumicës parlamentare në përbërjen e re të Kuvendit, që numëron 120 deputetë.
Sot presidenti i Këshillit Evropian Donald Tusk dhe Presidenti Ivanov kishin takim kokë me kokë, në temë të qartë – zgjidhje urgjente të krizës maqedonase.
Mirëpo, edhe pas këtij takimi mbetet dilema, kush do ta presë “nyjen gordiane” për Maqedoninë?
Monika Taleska