Të gjithë ne, posaçërisht ne burrat, kemi përgjegjësi shoqërore për të krijuar atmosferë në të cilën dhuna ndaj grave është e papranueshme dhe e turpshme, shkroi kryeministri Zoran Zaev në Fejsbuk me rastin e Ditës ndërkombëtare për eliminimin e dhunës ndaj grave.
Në statusin në Fejsbuk, Zaev u bën apel viktimave të dhunës familjare të mos heshtin dhe rastin ta denoncojnë në institucionet kompetente.
“Një nga angazhimet e mia personale është zgjidhja paqësore e të gjitha konflikteve përmes bisedave, përmes dialogut, në një mënyrë dinjitoze dhe me respekt për të tjerët në politikë dhe në jetën time private. Në kohë kur për shkak të krizës me pandeminë KOVID-19 ne të gjithë rrimë më shumë në shtëpi, është regjistruar rritje e dhunës ndaj grave. Prandaj, është shumë e rëndësishme që gratë të mos heshtin, t’i thonë JO dhunës dhe ta paraqesin menjëherë: www.mtsp.gov.mk/prijavi-semejno-nasilstvo.nspx.” ka shkruar Zaev.
Përkujton se politikat e Qeverisë kanë për qëllim parandalimin dhe mbrojtjen e viktimave të dhunës, siç dëshmohet nga strehëzat e hapura për kujdes, ratifikimi i Konventës së Stambollit dhe Ligji i fundit për parandalimin dhe mbrojtjen nga dhuna ndaj grave dhe dhunës familjare.