Komisarja e BE-së për Punët e Brendshme, Ilva Johanson konfirmoi për MIA-n se është në kontakt me qeverinë bullgare për të gjetur zgjidhje rreth bllokadës së marrëveshjes për Fronteksin me Maqedoninë e Veriut nga ana e Bullgarisë.
Maqedonia e Veriut nuk mund të finalizojë marrëveshjen e menaxhimit të kufirit me Bashkimin Evropian për shkak të mosmarrëveshjes bilaterale me Bullgarinë. Bashkimi Evropian ka filluar përfundimin e këtyre marrëveshjeve me vendet e Ballkanit Perëndimor për t’i integruar ato në menaxhimin e kufirit në mënyrë që të parandalojë “migrimin e parregullt”. Deri më tani, vetëm Shqipëria e ka finalizuar atë, Mali i Zi është në rrugën e duhur dhe Maqedonia e Veriut duhet ta përfundojë atë sa më shpejt sapo të zgjidhen mosmarrëveshjet me Bullgarinë.
Komisarja e BE-së Ilva Johanson konfirmoi se po punon për rastin.
“Shpresoj se do ta përfundojmë marrëveshjen e Fronteksit me Maqedoninë e Veriut sa më shpejt të jetë e mundur, e hapa këtë çështje me kryeministrin e Bullgarisë në mënyrë që të mund të bëjmë përparim sepse është shumë e rëndësishme”, tha Johanson për MIA-n.
Ajo informoi disa korrespondentë të Brukselit sot përpara takimi ministror midis BE-së dhe Ballkanit Perëndimor që do të mbahet të enjten përmes video konferencës.
Ky është takim i rregullt vjetor midis BE-së dhe rajonit, i cili konsiderohet thelbësor për çështjet e migracionit duke pasur parasysh rëndësinë e rrugës Ballkanike për azilkërkuesit.
Johanson do të marrë pjesë në takim për herë të parë që nga marrja e detyrës si komisiare e BE-së për Punët e Brendshme.
Muajin e kaluar, ajo prezantoi Paktin e ri të Azilit dhe Migracionit të BE, duke shpresuar të zgjidhë mosmarrëveshjet ekzistuese midis vendeve anëtare të BE-së rreth ndërtimit të politikës së përbashkët evropiane të azilit dhe migracionit.
Në këtë kontekst, thotë Johanson, bashkëpunimi me vendet e Ballkanit Perëndimor është thelbësor jo vetëm sepse ato janë të vendosura drejtpërdrejt në kufijtë e jashtëm të BE-së, por gjithashtu sepse kanë perspektivën e anëtarësimit të plotë në komunitet.
Në takimin të enjten, ministrat e Punëve të Brendshme do të diskutojnë menaxhimin e migracionit, marrëveshjet e menaxhimit të kufirit me Fronteksin, krimin e organizuar dhe trafikimin me njerëz.
Për Komisionin Evropian, parandalimi i rrjeteve kriminale të trafikimit me njerëz është një nga çështjet më të rëndësishme.
E pyetur nëse Komisioni Evropian ka qenë në dijeni të faktit që disa nga njerëzit që “transportojnë” emigrantët e bëjnë atë për para dhe për mbijetesë, Johanson tha se ishte në dijeni se disa prej atyre njerëzve nuk ishin “peshq të mëdhenj”, por se mbizotëron lufta kundër trafikimit me njerëz.
Në takim do të diskutojë gjithashtu azilkërkuesit “e rremë” nga vetë vendet e Ballkanit Perëndimor që paraqesin kërkesa në BE që nuk kanë pothuajse asnjë shans për t’u pranuar.
Johanson deklaroi për MIA-n se numri i këtyre kërkesave “të pajustifikuara” për azil nga Ballkani Perëndimor nuk është më problem i madh siç ishte disa vjet më parë dhe se bashkëpunimi me autoritetet në rajon është i mirë.
“Nuk kam numrin e saktë për secilin vend për momentin, por së shpejti do të paraqesim raport që shqyrton situatën nga vendi, përshtypjen time se gjërat janë mirë, kemi bashkëpunim të mirë me vendet dhe nuk jemi të alarmuar”, tha ajo në përgjigjen e pyetjes së gazetarëve.