Sekretari amerikan i Mbrojtjes, Xhejms Matis sot paradite arriti në Qeveri në takim me Kryeministrin Zoran Zaev dhe me Ministren e Mbrojtjes Radmilla Shekerinska.
Matis me nderime më të larta shtetërore dhe ushtarake u prit para Qeverisë nga Zaev, Shekerinska dhe përfaqësues të tjerë qeveritarë.
Pas bisedimeve të dy delegacioneve parashikohen deklarata të përbashkëta të Zaevit, Matis dhe Shekerinskës.
Sekretari amerikan i Mbrojtjes, Xhejms Matis sot në mëngjes arriti në Aeroportin ndërkombëtar “Shkupi” dhe pasi u prit nga Ministrja e Mbrojtjes Radmilla Shekerinska u nis për në Qeveri në takim me Kryeministrin Zoran Zaev.
Sekretari amerikan i Mbrojtjes, Xhejms Matis në kuadër të vizitës tha se vjen në Maqedoni që të shprehë mbështetje të qartë për referendumin e ardhshëm për çështjen e emrin, por edhe shqetësimin për shkak të involvimit të mundshëm të Moskës në proces.
“Do të shkoj t’i vizitoj miqtë tanë të Maqedonisë dhe do ta bëj të qartë se SHBA-ja e mbështet popullin e Maqedonisë”, tha Matis në një deklaratë për gazetarët në Pentagon.
Matis theksoi se është i shqetësuar se Rusia mund të tentojë të përzihet në procesin e referendumit në Maqedoni.
Xhejms Matis është sekretari i parë amerikan që e viziton Maqedoninë në 14 vitet e fundit. (MIA)