Kategoritë

KOLUMNË Referendum për lumturinë

Fytyra të ngjitura zverk më zverk, vesh më vesh, mjekër për mjekre; të zverdhura, të lemerisura, të përgjumura e të hutuara duken në veprën “Njerëzit presin” të piktores Evelyn Williams. Fytyra që puthiten ballë me gushë, një mbi një. Surrate kufomash të gjalla, me fytyrë kah qielli janë të syrgjynosur në pritje. Fytyra që janë mbështetur në përfytyrimet e tyre prej muri, në pritjen fatale e aspak të dëshirueshme. Të venitura flakë, me sy të ënjtur e shikime të shpërqendruara; të hutuara dhe të ngujuar brenda frikës dhe vullnetit për ngazëllim në kërkimin e lumturisë pa më të voglën ide se çfarë mund të jetë ajo: një refren, realitet apo manipulim.

 

Shkruan: Latif Mustafa

Të tubuara tok janë këto fytyra, që herë duken të hirta e herë të mavijosura e herë të zverdhura. Përreth i mbërthen një errësirë depërtuese. Pas tyre qëndron ardhmëria e errët dhe misterioze. Përpara tyre është e kaluara transparente, e kristaltë. Ata e presin ardhmërinë pa e kthyer kokën të paktën njëherë në drejtim të saj, sepse i janë qepur fort të së kaluarës, historisë, gjegjësisht asaj që është dukshme dhe e sigurt. Këto fytyra i përngjajnë një komuniteti me përkatësi nuancash jo të qarta identiteti, por në fytyrat e tyre reflekton një frymë simbioze mes: dëshpërimit, indiferencës dhe mjerimit. Njerëzit e Evelyn Williams-it jemi ne, të regjurit në pritje me fytyrë drejt qiellit presim  për “referendumin e lumturisë” si epitaf mburravecësh.

Referendumi i 30 shtatorit është akt demokratik për të legjitimuar ose jo marrëveshjen e re ndërmjet Greqisë dhe Maqedonisë, me qëllimin për t’u anëtarësuar në NATO. Kjo ka stisur një debat shterpë sa i përket raportit dhe rreshtimit të kampeve, të cilat janë “për” dhe “kundër”. Për më tepër, ai merr interpretimin e një dileme hamletiane, një rreshtimi qytetërues dhe, më intriguesja, është “lumturia” që fshihet pas këtij referendumi.  Një kampanjë e zbehtë qeveritare vazhdon të realizohet në qytete të ndryshme të vendit me fytyra të ngrysura dhe grimasa skeptike. . Ky referendum përtej çdo interpretimi imponon një lloj përgjegjësie dhe faji kolektiv shoqëror në rast të dështimit të tij, e që në fakt është absurd. Çfarë në të vërtetë është një referendum dhe çfarë relacioni ka e vërteta me numrat?

E vërteta kurrë nuk është me turmat, por është me individin, thoshte Kierkegard-i. Shumësia e të vërtetave të tekëve nuk e përbën një të vërtetë më të madhe. Aq më pak kur të vërtetat tona janë më tepër hamendje dhe opinione sesa të vërteta. Propagandën e kuptojmë kur të vërtetat e përkohshme tentohen të paraqiten dhe imponohen si të vërteta universale dhe të pranueshme për turmat. Masat nuk mund të përcaktojnë se ç’është e vërteta, ç’është e virtytshmja e, aq më pak, se ç’është e bukura. Por, kolektivet në një nivel të thellë audience – të cilët logjikojnë – mund të përcaktojnë përmes konsensusit dhe debatit politik për të përbashkëtën, publiken dhe normativen. Përmes këtij konsensusi e gjitha çka mund të arrijnë nuk është lumturia si harmoni totale, por parandalimi i rrëshqitjes së harmonisë në kaos. Meqë ndodhemi në zgrip të kaosit social, kulturor dhe politik, konsensusi shoqëror është një mundësi për t’i vendosur premisat e riformulimit të konceptit të harmonisë dhe rivendosjes së tij. Harmonia nënkupton rivendosjen e gjërave në vendin e vet. Rrjedhimisht, përkatësia dhe përputhja krijojnë drejtësinë – rendin e gjërave.

Referendumi i 30 shtatorit nuk sjellë lumturi, por na ngarkon me përgjegjësi më të rënda për çështjet publike. Përgjigjes ndaj pyetjes “kushtore”, që do të parashtrohet në  referendum, normalisht secili mund t’i përgjigjet me të vërtetën e tij. E vërtetë kjo që e kushtëzuar nga dilemat që i ka hapur marrëveshja me Greqinë. Dilema më e theksuar është ajo identitare. Një pjesë e opinionin Maqedonas e konsideron marrëveshjen si shkërmoqje të identitetit të deri tanishëm maqedonas dhe ndërhyrje të Greqisë në çështje e brendshme të Maqedonisë, ndërsa, në anën tjetër, një pjesë e opinionit shqiptar – përkundër përkrahjes të parezervë që ka shprehur establishmenti politik shqiptar – mendojnë se përmes këtij referendumi po çimentohet statusi minoritar dhe joshtetformues i shqiptarëve. Secili e ka të drejtën e tij të mendimit dhe ta ushtrojë atë, mirëpo të gjitha këto dilema nuk lidhen drejtpërdrejt me referendumin si akt politik. Ajo çfarë pason pas referendumit duhet të ngrejë shqetësime. Pas referendumit do të duhej të kishte zgjedhje parlamentare, të cilat do t’u paraprijnë ndryshimeve kushtetuese. Përgjegjësia mbi këto ndryshime do të bjerë mbi përbërjen e re të parlamentit. Përveç vigjilencës se kë duhet të zgjedhim, duhet të kemi edhe vullnetin për t’i ndihmuar ata që i zgjedhim, përmes kritikës, protestës, deri në rebelim dhe mosdëgjim qytetar, pa rrëshqitur në kurthin e tipologjisë së popullizmit evropian. Në çfarëdo rrethane duhet të jemi audiencë kritike e jo një turmë konformiste.

Ky referendum është asocuar me NATO-n. Normalisht, si pjesëtar i NATO-s, shteti do t’i detyrohet Aleancës materialisht dhe aleanca në saje të artikullit 5 – Mbrojtjes kolektive (Collective Defence), detyrohet ta mbrojë çdo anëtar të saj. Përmes shtrirjes së celulës kundër-terroriste (Counter Terrorist)  dhe mbrojtjes kibernetike (Cyber Defence). Po ashtu, NATO do të jetë e përkushtuar në përfaqësimin proporcional etnik të qytetarëve në strukturat ushtarake dhe shembull më i mirë për këtë është ndërhyrja e shefit të NATO-s ndaj themelimit të ushtrisë së Kosovës pa ndryshimet kushtetuese, me ç’rast edhe sot e kësaj dite kërkohen regjimente të veçanta serbe brenda ushtrisë, madje edhe në hierarkinë e lartë komanduese kërkohen të jenë edhe ushtarakë të etnisë serbe. Shqiptarët, por edhe etnitë e tjera, pas anëtarësimit në NATO, do të jenë më të përfaqësuar brenda ushtrisë. NATO-ja, po ashtu, angazhohet edhe për përfaqësim të barabartë gjinor brenda ushtrisë, gjë që është shumë me rëndësi për avancimin e të drejtave dhe lirive të grave në Maqedoni dhe për këtë ekziston regjiment i veçantë.

Në fund të fundit, referendumi është pragu ose testi fillestar që na e kanë vendosur “gardianët” e qytetërimit. Mbase edhe mund të thuhet se është kushtëzim, por veç shpirt-korruptuarit mund të kushtëzohen dhe jo qeniet e lira me vullnet të lirë politik. Normalisht, nuk duhet bërë naivin për interesat gjeopolitike të aktorëve globalë, por asnjëherë nuk duhet perceptuar aktorët politikë si homogjenë, sepse në heterogjenitetin e tyre të ekuilibrimit të forcave përfshihen edhe korporatat multinacionale, në të cilat lirshëm mund të vendoset theksi i fuqishëm i kritikës. Referendumi duhet kaluar, por jo për hir të politikanëve të diskredituar, që e mbartin këtë proces e as të ndonjë konformizmi ndërkombëtar, por me të vetmin qëllim, për të qenë pjesë e një hapësire më të madhe publike dhe për ta respektuar referendumin si akt demokratik dhe liri të shprehjes politike.

Fytyrat e njerëzve, si në pikturën Evelyn Williams-it, në fund të këtij marifeti do të fashiten e do të treten gjetiu. Disa do të skuqen e disa të tjerë do i mbyllin sytë. Errësira që shtrihet dendur pas kokave do të shndërrohet në ag mëngjesi. Megjithatë, edhe një kohë të gjatë, fytyrat si gjuetarë të ngushëllimit do të mbeten me vështrim kah qielli në pritje të referendumit për lumturinë.

Ilustrimi: “Njerëzit presin” -Evelyn Williams

 

 

Kjo kolumnë është pjesë e iniciativës qytetare “Bën hap përpara!”, e financuar nga Fondacioni Shoqëria e Hapur – Maqedonia. Përmbajtja është përgjegjësi e autorëve dhe në asnjë mënyrë nuk mund të konsiderohet e i shpreh këndvështrimet dhe qëndrimet e iniciativës qytetare “Bën hap përpara!”.