Në Gjykatën Penale në seancën e sotme për lëndën e PSP-së “Tanku” dëshmoi një punonjës në Agjencinë për Zbulim, i cili në vitin 2012 ka qenë sekretar shtetëror për menaxhimin e burimeve njerëzore në kabinetin e ministrit të Punëve të Brendshme.
Ai kërkoi që publiku të mos marrë pjesë në seanca sepse, siç tha ai, ka punuar në Agjencinë për Zbulim dhe se mund të zbulojë sekrete shtetërore, por gjykatësja Dobrilla Kacarska e ka refuzuar këtë propozim.
Prokurorët e PSP-së ishin kundër kësaj kërkese, sepse siç tha Gavrill Bubevski nga PSP, nuk kanë paraparë të parashtrojnë pyetje sa i përket sigurisë të shtetit.
Dëshmitari tha se ka qenë anëtar i Komisionit për Furnizime Publike, i cili ka vendosur për blerjen e mercedesit. Theksoi se Komisioni ka përcaktuar se oferta është në përputhje me specifikimin dhe se ka arritur vetëm një ofertë e cila i përmban të gjitha elementet. Në seancën e sotme duhet të dëshmojnë pesë dëshmitarë të propozuar nga Prokuroria Speciale Publike.
Në rastin “Tanku” për keqpërdorim të detyrës zyrtare janë akuzuar ish kryeministri Nikolla Gruevski, ish ministrja e Punëve të Brendshme, Gordana Jankulovska dhe ish ndihmësi i ministrit në MPB, Gjoko Popovski, për blerjen e “mercedesit” luksoz me vlerë prej 600 mijë eurosh.
Sipas aktakuzës, në periudhën prej shkurtit deri në fund të tetorit të vitit 2012 Nikolla Gruevski si person zyrtar ka përdorur ndikimin dhe pozitën zyrtare dhe ka kërkuar nga ministrja Jankullovska të bëjë furnizim publik ku MPB do të blejë automjet të blinduar “mercedes”, modeli “C-600 gard”, ndërsa në procedurë është favorizuar operatori ekonomik M.A. DOOEL, agjent i përgjithshëm dhe distributor i veturës nga marka “Mercedes”.
Burimi: MIA
Përmbajtjet që i merr Civili nga burime tjera nuk i nënshtrohen licencës Creative Commons 1.0, e cila përndryshe është e zakonshme, për përmbajtjet të cilat i plason kjo platformë mediatike. Ju lutemi, konsultohuni me buruesit për marrje të përmbajtjeve të tilla.