Qindra qytetarë sot për herë të dytë protestuan para Prokurorisë Themelore Publike në Shkup duke kërkuar drejtësi për Almirin e vogël, dhe i parashtruan kërkesat si vijojnë:
“Para një muaji u mblodhëm para kësaj Prokurorie, me kërkesë:
- Prokurorët, si bartës të funksioneve, ta kryejnë detyrën e tyre ndërgjegjshëm dhe me profesionalizëm, dhe të sjellin vendime siç parasheh ligji dhe drejtësia;
- Kërkuam të ndërpritet drejtësia selektive;
- Kërkuam që drejtësia më në fund të fillojë të funksionojë në Republikën e Maqedonisë.
Për fat të keq, ne vazhdojmë të jemi dëshmitarë të gjyqësisë joprofesionale, të padrejtë dhe gjyqësisë që anon. Në vend se të jemi dëshmitarë të përfundimit të rastit “Almir” me dënim të merituar për kryesin e veprës: VRASJE ME PARAMENDIM, ne jemi dëshmitarë të shpalljeve për shitjen e ARMËS me të cilën u vra Almiri katër vjeçar.
Rasti Almir është shembull klasik se si NUK DUHET të veprojë një sistem gjyqësor dhe një shtet i cili në Kushtetutën e vet garanton të drejtën për jetë. Lëshimet e bëra në procedurën hetuese, janë burimi parësor i tërë kësaj golgote gjyqësore të familjes Aliu, dhe të drejtësisë në Maqedoni.
Prokuroria Themelore në Kumanovë, në vend se të bëjë konfiskimin e automjetit që ka shërbyer si armë në vrasjen e tmerrshme të Almirit, të njëjtin ia kanë kthyer familjes së të akuzuarit. Për shkak të: mënyrës se si është kryer kjo procedurë hetuese; eliminimit të provave, përkatësisht armës me të cilën është kryer vepra; animit të Prokurorit Publik gjatë procedurës, “shëtitjes” së kualifikimit të lëndës nga Prokuroria Themelore në Prokurorinë e Lartë dhe atë Republikane, gjegjësisht, PËR SHKAK TË SABOTAZHIT TË DREJTËSISË në rastin Almir, kërkojmë përjashtimin e Prokurores Publike nga Prokuroria Themelore – Kumanovë, Suzana Kusigerska.
Duke u bazuar në procedurën e deritanishme në rastin Almir, jemi të bindur që gjyqësia në Maqedoni përsëri nuk do ta kalojë provimin e drejtësisë. Kësaj here – provimin mbi jetën e një engjëlli 4 vjeçar.
Prandaj, u mblodhëm sot këtu, të mos e lejojmë këtë. U tubuam të ndalemi në anën e drejtësisë dhe të kërkojmë nga organet gjyqësore të Republikës së Maqedonisë, të ndalen në anën e njëjtë.
Kërkojmë gjykim të drejtë për rastin Almir! Kërkojmë drejtësi!
Kjo gjyqësi, ky shtet, DUHET TË DËSHMOJNË se do ta mbrojnë të drejtën më të rëndësishme, të drejtën kryesore të njeriut – TË DREJTËN PËR JETË!
DREJTËSI PËR ALMIRIN! DREJTËSI PËR TË GJITHË!
Para një muaji qytetarët protestuan para Prokurorisë duke kërkuar që vepra në rastin e Almirit të mos rikualifikohet nga “vrasje me paramendim”, në “aksident rrugor me pasoja vdekjeprurëse”, dhe porositën se nuk do të ndalen së kërkuari drejtësi për Almirin.
D.T.