Pesë organizata të gazetarëve dhe profesionale të medias, duke përfshirë edhe Shoqatën e Gazetarëve të Maqedonisë, Sindikatën e Pavarur të Gazetarëve dhe Punonjësve të Medias, Instituti Maqedonas për Media, Këshillin e Etikës së Medias dhe Institutin Studime të Komunikimit, kërkojnë nga partitë politike që të vazhdojnë negociatat për reformat në sferën mediatike, para zgjedhjeve të caktuara për në 5 qershor.
Naser Selmani, kryetar i SHGM, në emër të pesë organizatave të mediave kërkoi takim me presidentin Gjorge Ivanov, kryetarin e Parlamentit Trajko Veljanoski dhe me liderët e katër partive politike që janë nënshkruese të Marrëveshjes së Przhinos, për të gjetur një zgjidhje të përbashkët për negociatat e dështuara për reformat mediatike.
“Nga Gruevski, Zaev, Ahmeti dhe Thaçi kërkojmë shpjegim se pse dështuan bisedimet për reformën e medias. Vallë kanë qenë problem për partitë macet e ndërmjetësit evropian, apo nuk u pëlqyen propozimet e tij për reforma sistemore. Këta liderë, si nënshkrues të Marrëveshjes së Przhinos, u obliguan për të zbatuar reforma serioze në media. Pa këto reforma, Maqedonia nuk do të ketë as zgjedhje të lira, e as të besueshme, e as që do të dalë nga kriza politike”, tha në konferencë për shtyp Naser Selmani, kryetari i SHGM.
Organizatat mediatike kërkojnë që SHBA dhe BE të kyçen në bisedime siç ishin gjer tani.
Tamara Çausidis e Sindikatës së Gazetarëve tha se gazetarët dhe organizatat mediatike nuk duhet të heshtin: “Ne nuk do të heshtim dhe nuk do të lejojmë që nën qilim të hiqet çështja e zgjidhjes sistematike e problemit me sferën e mediave dhe ky problem nuk guxon të injorohet”
“Kërkesat tona kryesore janë ndalimi i reklamave qeveritare, Agjencia e Mediave dhe RTM të çlirohen prej kontrollit të pushtetit dhe të sigurohet financimi i tyre i qëndrueshëm, të reduktohen detyrimet dhe gjobat për mediat private, si dhe transparencë më e madhe të institucioneve,” potencoi kryetari i SHGM, Selmani.
Ai është i mendimit se me bisedimet do të arrihet sukses për të zgjidhur çështjen e reformës së medias, por, nuk e përjashton mundësinë, nëse nuk gjejnë një zgjidhje të përbashkët me liderët politikë, gazetarë dhe punëtorët e mediave të përdorin të gjitha të drejtat demokratike për të bërë presion.