Tenderi i ri që e shpalli para dy ditësh Ministria e Punëve të Brendshme (MPB), për – siç thonë – uniforma të reja që do t’i zëvendësojnë ato të vjetrat, të papërshtatshme dhe jofunksionale me të reja, moderne, cilësore dhe funksionale sipas modelit të policive evropiane, shkaktoi reagime te një pjesë e mediave në gjuhën shqipe dhe te opozitarja BDI.
– Ministria, në një proces që është plotësisht transparent dhe përgjegjës, realizoi dialog teknik me plot 13 kompani të interesuara, ku u morën parasysh të gjitha sugjerimet dhe propozimet. Ministria apelon që në tender të paraqiten të gjitha kompanitë e interesuara dhe brenda afateve të përcaktuara të mund të promovohet uniforma e re, moderne, cilësore dhe funksionale për ata që kujdesen për sigurinë e qytetarëve maqedonas. Policia maqedonase meriton të jetë një polici moderne dhe funksionale evropiane, njoftoi MPB.
Nga MPB theksojnë se uniforma e re do të përmbajë elemente si xhup me kapele, xhaketë terreni, pantallona terreni verore dhe dimërore, këmisha me mëngë të shkurtra dhe të gjata, kapele, bluza, këpucë me taban të hollë dhe të trashë, si dhe çizme taktike të larta verore dhe dimërore. Sipas fotografisë së paraqitur me uniformat e reja, në shenjat “Policia” përveç shkrimit cirilik, nuk paraqitet edhe ai latin.
Nga Bashkimi Demokratik për Integrim (BDI), përmes një komunikate, e dënuan politikën diskriminuese të VMRO-DPMNE-së, duke iu referuar parimeve të Marrëveshjes së Ohrit dhe Ligjit për përdorimin e gjuhëve.
“Bashkimi Demokratik për Integrim shpreh indinjatën më të thellë për vendimin skandaloz që uniformat e reja të policisë të jenë vetëm në gjuhën maqedonase. Ky akt është shkelje flagrante e parimeve të Marrëveshjes së Ohrit dhe e ligjit për përdorimin e gjuhëve, që garanton barazi dhe dygjuhësi në institucionet shtetërore, e veçanërisht në uniformat e policisë.
Ky nuk është një rast i izoluar, por vazhdimësi e politikës diskriminuese të VMRO-DPMNE-së, e cila tashmë ka iniciuar në Gjykatën Kushtetuese heqjen e gjuhës shqipe si gjuhë zyrtare. Ajo që e bën edhe më skandaloze është heshtja servile e partive shqiptare në pushtet, të cilat kanë pranuar të bëhen vasalë të politikave anti-shqiptare, duke e shkelur dinjitetin dhe të drejtat e shqiptarëve për interesa të ulëta politike.Uniformat nuk janë thjesht veshje. Ato janë simbol i identitetit të shtetit, i barazisë dhe i respektit. Kur ligji kërkon dygjuhësi dhe Qeveria imponon njëgjuhësi, kjo është dëshmi e humbjes së sovranitetit politik të partive shqiptare që sot janë pasqyra e interesave të VMRO-së.BDI e bën të qartë: shqiptarët nuk do të pranojnë poshtërime të tilla. Ligji është i qartë, në komunat ku shqiptarët janë së paku 20%, çdo institucion shtetëror është i obliguar të përdorë gjuhët zyrtare, përfshirë uniformat dhe komunikimin publik.Kërkojmë tërheqjen e menjëhershme të këtij vendimi diskriminues; zëvendësimin e uniformave të policisë me mbishkrime dygjuhëshe, sipas ligjit dhe kërkim falje publike nga partitë shqiptare në pushtet, që e aprovuan këtë turp.
Barazia nuk është luks, është detyrim ligjor, moral dhe kombëtar. BDI nuk pranon kompromis me dinjitetin. Shqiptarët kanë sakrifikuar për barazi dhe ky vendim i turpshëm do të rrëzohet”, thuhet në komunikatën e BDI.
Në vitin 2022, atëkohë ministri i Punëve të Brendshme, Oliver Spasovski, në emisionin e Alsat-it „Rruga drejt“ paralajmëroi se deri në mars 2023 uniformat dhe emblemët policore do të jenë dygjuhëshe.
„Rregullorja u miratua nga Qeveria dhe u publikua në Gazetën Zyrtare më 18 mars 2022. Ajo hyri në fuqi 8 ditë pas miratimit, ndërsa duhej të fillonte të zbatohej më së voni një vit nga hyrja në fuqi, saktësisht deri më 26 mars 2023. Po bëjmë përgatitje dhe kur të skadojë afati, duhet të fillojë implementimi sipas Ligjit për përdorimin e gjuhëve“, deklaroi Spasovski.
Redaksia e CivilMedia i drejtoi pyetje Ministrisë së Punëve të Brendshme nëse uniformat e reja do të jenë dygjuhëshe, por deri në publikimin e këtij teksti nuk morëm përgjigje.
Në nenin 8 të Ligjit për përdorimin e gjuhëve thuhet se uniformat e policisë; zjarrfikësve; shëndetësisë; në Shkup dhe në komunat ku së paku 20% e qytetarëve flasin gjuhë zyrtare tjetër nga maqedonishtja, shkruhen në gjuhën maqedonase dhe alfabetin e saj cirilik, si dhe në gjuhën që e flasin së paku 20% e qytetarëve në Republikën e Maqedonisë dhe në alfabetin e saj.
Përndryshe, tenderi për blerjen e uniformave të reja për policët shpallet pikërisht në prag të zgjedhjeve lokale që do të mbahen muajin e ardhshëm, në një atmosferë tashmë të nxehtë parazgjedhore dhe retorikë mes rivalëve politikë dhe mbështetësve të tyre
D. Tahiri


