Propaganda ruse në mediat e Maqedonisë së Veriut, narativat kundër integrimit në BE në kampuset politike në vend, zëvendësimi i çësjteve lokale me ato kombëtare në fushatën për zgjedhjet lokale , janë temat mbi të cilat biseduam me analistin e çështjeve politke dhe drejtuesin e Instrituit BIRC, Xhelal Nezirin, në bisedë për CivilMedia.
Propaganda ruse mund të detektohet në narativat e caktuara që mediat dëshirojnë ti ndërtojnë, ato rrëfime të thjeshtësuara të situatës komplekse atje, nëse shihni ose lexoni artikuj, analiza ose lajme që thonë se Ukraina ka qenë dhe duhet të jetë pjesë e Rusisë, Ukraina ka qenë pjesë e Bashkimit Sovjetik, në Ukrainë është themeluar vetë Rusia, dhe nëse shihni se roli i Moskës, i Putinit, lartësohet në rol pan-sllavist, rol i cili duhet të jetë mbrojtës, ndaj të gjithë sllovenëve që jetojnë në botë atëherë gjithsesi se kemi të bëjmë me media të cilat i ndërtojnë ato narativa.
Këtu nuk kemi të bëjmë me aspekte folklorike ose aspekte që burojnë nga lajmet e rreme, por, kemi të bëjmë me një shtet sovran, i cili ka të drejtë të vendosë orientimin e tij strategjik, dhe këtë e bëri Ukraina me atë që kërkoi të nënshkruajë, në vitin 2013 Marrëveshjen për asociim –stabilizim me Bashkimin Evropian, por nuk arriti, dhe kërkon që të integrohet në BE, dhe nuk arrin, edhe pse tani më e ka statusin e vendit kandidat, dhe gjithashtu kërkon të integrohet edhe në NATO.
Pra, është një shtet sovran që nuk e gjen veten në atë sferë të interesit të Rusisë, ose në atë pjesë të gjeopolitikës së botës, por e shef në pjesën tjetër, në gjeopolitikën perëndimore, i cili përbëhet nga BE dhe NATO.
Neziri më tej thotë se në këtë mënyrë duhet të definohet dhe deshifrohet se kush ka të drejtë – agresori, i cili asnjëherë nuk mund të ketë të drejtë, ose ata që kanë për obligim të mbrojnë vendin e tyre.
Sa i përket narativave dhe propagandës që depërton fshehurazi nëpër media, si dhe te dy blloqet politike në Maqedoninë e Veriut – ai maqedonas dhe shqiptar, Neziri vlerëson se te blloku politik shqiptar, shtylla kryesore dhe objektivi kryesor është integrimi euroatlantik – BE dhe NATO, qysh nga themelimi i partive politike të para nga kampusi shqiptar, dhe e thekson lidhjen e shqiptarëve në përgjithësi me perëndimin, si kujtesë kolektive ndaj korrektësisë dhe ndihmës së perëndimit ndaj shqiptarëve, në kuptimin e trajtimit të nevojave të një populli që është më i dobët.
Neziri e bën paralelen mes ndjenjës së afërsisë së maqedonasve dhe shqiptarëve, kur bëhet fjalë për Rusinë, BE, NATO dhe vendet e Lindjes.
“Nëse dalim te blloku politik maqedonas në vend, mund të shohim një peizazh më kompleks. Këtu kemi të bëjmë edhe me afërsinë, ose ngjashmërinë kulturore, kishtare, gjuhësore, historike të maqedonasve etnikë me atë që quhet Rusi sot. Mirëpo, që ka marrë forma të ndryshme gjatë historisë. Gjithashtu, edhe në Bullgari ka një ndarje shume të madhe midis atyre që janë pro-Rusisë dhe pro- perëndimit, edhe pse Bullgaria është pjesë e NATO dhe BE.
Të njëjtën kujtesë historike e ka edhe populli Serb. Të gjitha këto janë faktorë të rëndësishëm në ato që i pozicionojnë popujt sot, me atë ndarje të madhe që po ndodh midis Lindjes dhe Perëndimit. Dhe te shqiptarët kemi një ndarje të tillë kur bëhet fjalë për afërsinë me Turqinë, ose afërsinë kulturore, fetare me Turqinë dhe vendet e lindjes, ka edhe një kategori të njerëzve që janë kundër integrimit në BE, por jo edhe kundër NATO-s.”, thotë Neziri, dhe shton se ky trend është në rritje te maqedonasit, dhe te një pjesë e shqiptarëve etnikë, si dhe se ka parti politike që i ushqejnë këto narativa, përmes mediave që i kontrollojnë.
Kur bëhet fjalë për zgjedhjet lokale që do të mbahen në tetor, për fushatën e kandidatëve që garojnë për kryetarë komunash dhe programin e tyre, Neziri thotë se si duket, të gjitha partive u konvenon që debati të zhvendoset nga ai lokal, në çështjet e mëdha kombëtare.
Sinqerisht, habitem se si mundet LSDM, parti e cila pësoi keq në zgjedhjet e fundit, të nxjerrë rezolutë për çështjen me Bullgarinë, pikërisht në prag të zgjedhjeve. E propozon një temë e cila në fakt, është temë që më tepër i konvenon VMRO-DPMNE. Për këtë temë VMRO-DPMNE shquhet, për refuzimin ndaj implementimit të marrëveshjeve me Bullgarinë.
Dhe në prag të zgjedhjeve, në vend se të diskutohet çështja katastrofale në Qytetin e Shkupit si komunë, por edhe në komunën e Kumanovës, Ohrit, në komunat tjera më të mëdha, ku leje që nuk funksionon asgjë, nga transporti urban, çështja e grumbullimit të mbeturinave, por edhe vetë kandidatët nuk kanë dhënë ndonjë vizion se si duhet ti zgjidhin ato probleme, dhe çfarë duhet të bëjnë që komuna të duket më mirë se siç ka qenë, thotë mes tjerash Xhelal Neziri.
Ne e dimë se kryetarja e Qytetit të Shkupit nuk ka ra nga qielli, nuk është kryetare që fitoi vetvetiu, ajo ishte produkt politik i VMRO-DPMNE. Dhe ne si qytetarë nuk na interesojnë konfliktet e tyre të brendshme. Ne mund të konkludojmë se VMRO-DPMNE nxori një kandidat shumë të keq, dhe si pushtet lokal, nuk arriti që ta realizojë as minimumin e premtimeve që i ka dhënë. Dhe pikërisht këtu mendoja se do të bëhet beteja e opozitës.
Me Xhelal Nezirin gjithashtu e shtruam temën e përmbysjes së tezës, ose çështjeve lokale me ato kombëtare në prag të zgjedhjeve lokale.
Duke luftuar për formën, ne e kemi harruar përmbajtjen, thotë Neziri për çështjet e mëdha kombëtare të cilat politikanët në vazhdimësi i mbajnë peng qytetarët, duke e paraqitur formën sipërfaqësore, në dëm të përmbajtjes.
Prandaj, jemi në një situatë ku komunat me shumicë etnike shqiptare janë në gjendje më të rëndë se të gjitha komunat tjera.
Në pyetjen se ku qëndron faji për gjendjen e rëndë të komunave me shumicë shqiptare, Neziri thotë se kjo është për shkak të praktikave të instaluara që nga vitet ’90 e këndej.
Janë instaluar praktika ku nëse një parti politike fiton në një komunë, ajo komunë është e asaj partie. Bastion, pronë, vilajet i asaj partie. Dhe praktikisht, ajo parti ashtu edhe e konsideron, si vilajet ku mund të bëjë çfarë të dojë, thotë mes tjerash Neziri.
Intervistoi: Diana Tahiri – CIVIL
Kamera, montazhi dhe fotografia: Arian Mehmeti


