Bllokimi i marrëveshjeve për Ballkanin e Hapur nga deputeti Milloshoski është i papërgjegjshëm dhe i dëmshëm për qytetarët dhe sektorin e biznesit, tha për Frontline Koordinatori Nacional për Ballkanin e Hapur dhe Bashkëpunim Rajonal, Marjan Zabrçanec.
“Ratifikimi i marrëveshjeve për qasje të lirë në tregun e punës dhe për numër identifikimi për qytetarët e Ballkanit të Hapur duhet të përfundojë në Kuvend në mënyrë që të mund të fillojë projekti për punësimin falas të fuqisë punëtore në njërin nga tre vendet, pa leje pune” – thotë Zabrçanec.
I pyetur se cila është nevoja dhe çfarë efektesh priten nga kjo risi në lidhjen rajonale, Zabrçanec u përgjigj se kërkesa dhe pritjet për këtë masë janë të mëdha si te qytetarët, ashtu edhe te kompanitë.
“Kërkesat dhe pritjet për këtë masë janë të mëdha si te qytetarët ashtu edhe te kompanitë. Ky projekt pritet të plotësojë zbrazëtirat në ekonomi, të shkaktuara nga mungesa e fuqisë adekuate profesionale dhe punëtore, në aktivitete të ndryshme në secilin prej tre vendeve. Pritet që në Maqedoninë e Veriut të punësohet personel mjekësor në spitalet private si dhe punëtorë të turizmit, por edhe punësimi i fuqisë punëtore në aktivitete të tjera në vendin tonë, si dhe punësimi i qytetarëve tonë në Shqipëri dhe Serbi”, tha Zabrçanec.
Ai është i vendosur në vlerësimin e tij se frenimi i projekteve të tilla ndikon drejtpërdrejt në zhvillimin dhe rritjen e numrit të vendeve të punës.
“Kushdo që guxon të frenojë dhe bllokojë një projekt të tillë, vepron kundër rritjes dhe zhvillimit të ekonomisë, kundër vendeve të reja të punës dhe kundër konkurrencës që sjell paga më të larta”, tha Zabrçanec.
Ai vlerëson se Milloshoski e ka obligim të përgjigjet në pyetjet se a është përpjekje e koordinuar e VMRO-DPMNE-së për të bllokuar iniciativën rajonale të përkrahur nga qytetarët e të tri shteteve.
“Miloshoski duhet të përgjigjet nëse kjo është përpjekje e koordinuar e VMRO-DPMNE në krye me Mickoskin, për bllokim të nismës rajonale të mbështetur nga shumica dërmuese e qytetarëve maqedonas, shqiptarë dhe serbë. Vallë ky hap e Milloshoskit pason deklaratën skandaloze të ditës së kaluar të Mickoskit, se ai nuk e di se çfarë është Ballkani i Hapur dhe se nuk e di se çfarë ishte bashkëpunimi rajonal mes dy vendeve si Shqipëria dhe Serbia që nuk kufizohen me njëri-tjetrin?
Zabrçanec është i bindur se bllokadat nuk kanë sukses, por se Ballkani i Hapur ka sukses.
“Nëse flasim për një tentativë për bllokim apo ndalje të projektit Ballkani i Hapur, Milloshoski dhe Mickoski duhet ta dinë se duke vepruar kështu, deklarohen si kundërshtarë të tre kombeve, tri ekonomive dhe tre shteteve. Bllokada nuk ka sukses, Ballkani i Hapur, ka sukses” – përfundoi Zabrçanec.