Ministri i Shëndetësisë, Venko Filipçe beson se pjesëmarrja për vaksinim duhet të jetë më e lartë. Ai u bën apel qytetarëve që të regjistrohen në faqen “vakcinacija.mk”, për të cilën thotë se funksionon në mënyrë të përsosur dhe nuk ka probleme me caktimet e orareve.
Gjatë ditës së djeshme, siç deklaroi ai sot, nga 9.000 qytetarë që morën termin për vaksinim, vetëm gjysma ose 4.500 janë paraqitur për t’u vaksinuar.
“Do të shohim sot se si do të shkojë procesi. Gjatë ditës së djeshme, nga nëntë mijë qytetarë që morën termine në të gjithë vendin, rreth 4.500 qytetarë janë paraqitur për t’u vaksinuar. Do të përpiqemi sot të shohim dhe identifikojmë problemin. Ndoshta sepse është dita e parë, mbase sepse është fillimi i një sistemi të tillë vaksinimi në vendet për vaksinim masiv në të gjithë shtetin. Sinqerisht, besoj se pjesëmarrja nuk do të jetë më kështu. U bëj apel të gjithë qytetarëve që të regjistrohen në faqen “vakcinacija.mk”, tha Filipçe.
Konsideron se duhet të përfundojë procesi i vaksinimit të ministrave, duke pasur parasysh që ata kanë planifikuar udhëtime, dhe paralajmëroi vazhdimin e vaksinimit të punonjësve në infrastrukturën kritike.
Tani për tani, nuk lejohet zgjedhja e vaksinës, sepse, siç tha ai, të gjitha vaksinat janë të sigurta dhe nuk janë vërejtur kundërindikacione, përveç vaksinës “AstraZeneka”, e cila nuk u jepet personave nën 60 vjeç.
Pritet që afër 50 mijë vaksina Fajzer duhet të arrijnë në maj, çdo të hënë përafërsisht nga 10 mijë vaksina, ndërsa rreth 14-15 maj, në varësi të mënyrës se si do të organizohet transporti, pritet të arrijë edhe sasia shtesë e “Sinofarm” e siguruar përmes Ministrisë së Mbrojtjes.
“Ky duket të jetë një numër i mjaftueshëm për të përmbushur sistemin e vaksinimit”, tha Filipçe.
Për gratë shtatzëna dhe nënat gjidhënëse që kanë shprehur interes për t’u vaksinuar me “Fajzer” sepse sipas disa pikëvështrimeve të tyre, kjo vaksinë është më e përshtatshme për to, Filipçe, tha se nëse ka informacion të tillë, do t’u dilet në vigjilje, njerëzve të tillë. Këtë mëngjes, siç raportoi ai, ai pati një bisedë me përfaqësuesen e tyre të cilën e udhëzoi të flasë me Aleksandra Grozdanovën, e cila që nga dje është emëruar koordinatore kombëtare e imunizimit.
Lidhur me faktin nëse duhet të merren në konsideratë ekipe të lëvizshme që do të vaksinojnë njerëzit që jetojnë më larg nga vendet e vaksinimit, Filipçe tha se ekziston një mundësi e tillë, duke theksuar se ekipe të tilla tashmë punojnë për personat me aftësi të kufizuara dhe ata të vendosur në shtëpitë e pleqve.
Në pjesën e fushatave për ngritjen e vetëdijes publike për vaksinim, Filipçe theksoi se disa tashmë janë duke u transmetuar, ndërsa disa janë duke u përgatitur me UNICEF-in dhe Zyrën e Bashkimit Evropian.