Rusia, sot filloi tërheqjen e trupave të vendosur përkohësisht në gadishullin e Krimesë, një veprim që mund të ndihmojë në mospërshkallëzimin e tensioneve të Moskës me Kievin dhe vendet perëndimore, njoftoi DPA.
Ushtarët, që morën pjesë në stërvitjet e fundit ushtarake në Krime, do të fillojnë të kthehen në bazat e tyre ushtarake të stacionuara në Rusi, njoftoi sot Ministria e Mbrojtjes në Moskë, transmetojnë mediat ruse.
Pajisjet ushtarake që u transferuan në Krime, të cilat Rusia ia sekuestroi Ukrainës në vitin 2014, do të transferohen me trena, aeroplanë dhe anije.
Ukraina dhe vendet e NATO-s kanë shprehur shqetësim rreth grumbullimit të trupave dhe pajisjeve të Rusisë në Krime dhe në kufirin ukrainas, duke ngritur frikën se konflikti i zgjatur midis dy kombeve mund të hyjë në një fazë të re, shumë më të dhunshme.
Ministri rus i Mbrojtjes, Sergej Shojgu e paralajmëroi tërheqjen dje, ndërsa urdhri hyri në fuqi sot, transmeton DPA.
“Në poligonin Opuk në Krime, anijet luftarake po përgatiten të largohen sepse janë të ngarkuara me trupa dhe pajisje”, tha Shojgu. Rreth 10.000 trupa atje janë stacionuar gjatë stërvitjes.
Në manovrat e përbashkëta janë përfshirë gjithashtu edhe Forcat ajrore ruse. Rusia i ka justifikuar stërvitjet duke u përgatitur për mbrojtjen e forcave të armatosura, e cila kryhet tradicionalisht çdo pranverë.
“Qëllimi u arrit, kështu që ushtarët tani mund të kthehen në shtëpi”, tha Shojgu.
Sipas ekspertëve perëndimorë, kjo manovër ushtarake ishte më e madhe se çdo aktivitet që nga viti 2014.
Shefi i diplomacisë evropiane Zhozep Borrell deklaroi këtë javë se Rusia kishte grumbulluar rreth 100.000 trupa në rajon.