Zhvillimi i përgjithshëm i vendit varet kryesisht nga sasia dhe cilësia e burimeve tona ujore. Nëse nuk ndërmarrim masa afatgjata për mbrojtjen e tyre, lehtë mund t’i humbasim ato në mënyrë të pakthyeshme, tha presidenti Stevo Pendarovski në fjalimin e tij në konferencën virtuale “Agjenda e Gjelbër për Ballkanin Perëndimor si nxitje për mbrojtjen e ujërave në Republikën e Maqedonisë së Veriut”, organizuar nga Instituti për politikë Evropiane në bashkëpunim me Institutin për Studime të Komunikimit, ndërsa në kuadër të fushatës “Kthjellu!”.
Sipas disa vlerësimeve, tha presidenti Pendarovski, në vend pastrohen vetëm rreth 3 deri në 4 për qind të sasisë totale të ujërave të ndotura nga minierat dhe industria, ndërsa shumica e ujit të papastruar shkarkohet direkt në tokë, lumenj, rezervuarë, liqenet dhe kanalizimin publik. Problem po aq serioz, sipas presidentit është nxjerrja e rërës, zhavorrit dhe gurit nga brigjet e lumenjve dhe liqeneve i cili në mungesë të kritereve të qarta dhe mekanizmave të kontrollit, siç tha, rritet de fakto, shkatërrimi i legalizuar i shtratit të lumenjve, informojnë nga kabineti i tij.
“Ekzistojnë disa arsye për këtë menaxhim të paqëndrueshëm me ujërat. Së pari, niveli i ulët i ndërgjegjësimit publik dhe ndërgjegjes personale. Akoma mbizotëron perceptimi se uji është një burim që mund të konsumohet pakufi. Ky qëndrim është veçanërisht shqetësues nëse kemi parasysh se 11 për qind e numrit të përgjithshëm të familjeve individuale në Maqedoninë e Veriut akoma nuk kanë qasje në ujë të pijshëm”, tha presidenti Pendarovski.
Një hallkë e dobët në sistemin tonë, sipas presidentit Pendarovski, është inspektimi të cilin e vlerësoi si të parregullt dhe reagues, për shkak të paqartësive ligjore dhe kufizimeve buxhetore.
Sipas presidentit, ndryshimet klimatike shtesë i ndërlikojnë problemet për shkak të faktit se vendi ynë është i vendosur në një nga rajonet më të ndjeshme ndaj klimës jo vetëm në Evropë, por edhe në botë. Ai e vuri në dukje situatën me Liqenin e Prespës si veçanërisht shqetësuese.
“Nëse nuk ndërmarrim masa afatgjata për mbrojtje të burimeve ujore, shumë lehtë mund t’i humbasim ato në mënyrë të pakthyeshme. Prandaj, problemi me mbrojtjen e ujërave nuk është çështje politike ditore, por çështje ekzistenciale”, theksoi Pendarovski.
Në mënyrë që të sqarohet situata me mbrojtjen e ujërave tona, theksoi ai, institucionet kompetente kanë nevojë për të dhëna të sakta, por edhe të azhurnuara.
“Harmonizimi me legjislacionin evropian është i nevojshëm, por kjo është pjesa më e lehtë, sepse zbatimi është më i rëndësishëm, që do të thotë edhe inspektim i rregullt dhe parandalues, i cili në kohë do ta sanksionojë çdo përpjekje për të përfituar në llogari të mjedisit jetësor dhe qytetarëve. Një gjë duhet të jetë e qartë për ne – ne nuk po e bëjmë këtë për Brukselin. Këtë po e bëjmë për ne”, tha Pendarovski.
Kjo çështje, sipas presidentit, ka edhe dimension të politikës së jashtme, sepse përfshin edhe bashkëpunim ndërkufitar në menaxhimin e tre liqeneve të mëdha dhe lumenjve të mëdhenj që ne i ndajmë me fqinjët tanë.
“Kjo do të thotë që mbrojtja e ujërave nuk është vetëm çështje e brendshme, por edhe çështje evropiane. Agjenda e Gjelbër është pjesë e Planit Ekonomik dhe të Investimeve për Ballkanin Perëndimor prej nëntë miliardë eurove. Bashkimi Evropian është i gatshëm të mbështesë projekte për përdorim të qëndrueshëm, racional dhe efikas të burimeve. Besoj se kemi akoma mjaft potencial të brendshëm për ta zgjidhur këtë çështje”, tha presidenti Pendarovski në fjalimin e tij në konferencë.