Presidenca portugeze e Bashkimit Evropian e konsideron procesin e zgjerimit si një çështje të rëndësishme dhe do të bëjë gjithçka që është në fuqinë e saj për të intensifikuar dialogun për harmonizimin e Kornizës negociuese dhe për të filluar zyrtarisht bisedimet e aderimit midis Maqedonisë së Veriut dhe BE-së. Fillimi i negociatave për anëtarësimin e Maqedonisë së Veriut në Bashkimin Evropian do të kontribuojë në ruajtjen e kredibilitetit të BE-së në të gjithë rajonin.
Mesazhe të tilla në Bruksel morën dje zëvendëskryeministri për Çështje Evropiane, Nikolla Dimitrov dhe ministri i Punëve të Jashtme, Bujar Osmani, nga ministri portugez i Punëve të Jashtme, Augusto Santosh Silva dhe zëvendëskryetari i Komisionit Evropian dhe përfaqësuesi i lartë i BE-së për Punë të Jashtme dhe Politikë të Sigurisë, Zhosep Borrell.
Në takime me Silvën Dimitrov dhe Osmani ishin të njëzëshëm gjatë bisedës se procesi i eurointegrimeve medoemos duhet të marrë vëmendje të shtuar, sidomos në rastin e Maqedonisë së Veriut, e cila nga muaji mars i vitit të kaluar ka vendim konsensual nga të gjitha vendet anëtare për fillimin e negociatave. Ata theksuan angazhimin e vendit në procesin e reformave, duke theksuar se perspektiva e qartë e vendit si anëtar i ardhshëm i plotë i BE-së paraqet nxitje më të fuqishme për vazhdimin e procesit të reformës dhe përfshirjen e vlerat evropiane në vend.
Silva i theksoi prioritetet e Presidencës portugeze të cilat janë të drejtuara për një Evropë sociale, digjitale dhe të gjelbër; me besim të përforcuar të qytetarëve të saj në modelin social evropian; promovimi i Unionit bazuar në vlerat e përbashkëta të solidaritetit, transformimit dhe kohezionit – Union i aftë për veprime të koordinuara për tu rikuperuar nga kriza e shkaktuar nga KOVID-19.
Në takimin e Osmanit dhe Dimitrovit dhe Zhozep Borrel u vlerësua se fillimi i negociatave për anëtarësimin e Maqedonisë së Veriut në Bashkimin Evropian do të kontribuojë për ruajtjen e kredibilitetit të BE-së në tërë rajonin.
“Fokusi i bisedës ishte e ardhmja e politikës së zgjerimit të BE-së, kryesisht në kontekstin e zhvillimeve pas miratimit të Metodologjisë së re dhe mundësive që ajo ofron për dinamizimin e procesit, harmonizimin e Kornizës Negociuese për Maqedoninë e Veriut, rëndësinë dhe përfitimet të bashkëpunimit rajonal dhe promovimit të marrëdhënieve të fqinjësisë së mirë si elemente kryesore për perspektivën evropiane, si për vendin ashtu edhe për të gjithë rajonin”, informon pres-shërbimi qeveritar.
Në takim u nënvizua fakti se Maqedonia e Veriut ka me të vërtetë numër të madh të miqve midis vendeve anëtare, interesat e të cilëve për të ardhmen e Evropës përkojnë me interesat tona – integrimi i plotë i Ballkanit Perëndimor për kompletim përfundimtar të Unionit.
Dimitrov dhe Osmani theksuan se Qeveria vazhdon me reformat në mënyrë që të ruajë fokusin e proceseve të reformave në mënyrë që të ruhet dosja pozitive për Maqedoninë e Veriut.
Nga ana e nënkryetari i KE-së, Borrell e përshëndeti nivelin e lartë të përafrimit të Maqedonisë së Veriut me politikën e përbashkët të jashtme dhe të sigurisë të BE-së.
“Takimi i Dimitrovit dhe Osmanit me Borrell vjen në një moment jashtëzakonisht të rëndësishëm për procesin e zgjerimit të Bashkimit Evropian dhe në këtë drejtim bashkëbiseduesit ranë dakord që fillimi i negociatave me Maqedoninë e Veriut do të kontribuojë në ruajtjen e besueshmërisë së BE-së në të gjithë rajonin”, shtohet në kumtesë.
Osmani dhe Dimitrov u takuan edhe me përfaqësuesin special të BE-së për Ballkanin Perëndimor dhe dialogun Prishtinë – Beograd, Mirosllav Lajçak, ku biseduan për perspektiva evropiane e Maqedonisë së Veriut, marrëdhëniet e fqinjësisë së mirë, iniciativat rajonale dhe pritjet për periudhën e ardhshme. Edhe në këtë takim u konkludua se Maqedonia e Veriut është e gatshme të fillojë negociatat me Bashkimin Evropian, duke nënvizuar suksesin e vendit si një histori suksesi evropian në rajon, dhe kështu një shembull për vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor – duke demonstruar qartë fuqinë transformuese të idesë evropiane.
“Prandaj, perspektiva evropiane e Maqedonisë së Veriut duhet të vazhdojë pa i marrë parasysh sfidat në këtë rrugë. Ky do të jetë konfirmim i vazhdimësisë së politikës së zgjerimit në agjendën e BE-së, por gjithashtu se investimi i vërtetë në reforma dhe në marrëdhëniet e fqinjësisë së mirë do të thotë një investim i sigurt në një të ardhme më të mirë për qytetarët”, ishte konkludimi i këtij takimi.
Ndërkohë, ministri portugez i Punëve të Jashtme, Augusto Santosh Silva deklaroi në Parlamentin evrpopian se qëllimet e vendit të tij si kryesuese e BE-së në sferën e zgjerimit janë “mjaft ambicioze”.
“Ne dëshirojmë të kontribuojmë për miratimin e kornizave negociuese me Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë dhe t’i vazhdojmë negociatat rrjedhëse me Serbinë dhe Malin e Zi”, deklaroi Santosh Silva në Komitetin për politikë të jashtme të Parlamentit evropiane (AFET).
Disa eurodeputetë cekën se BE-ja nuk guxon t’i harrojë BeH-në dhe Kosovën, si dhe pengesat dhe problemet që Bullgaria, siç tha anëtarja e AFET-it, Izabel Santosh, ia parashtron Maqedonisë së Veriut në rrugën drejt BE-së.
Eurodeputeti Andor Deli i ceki dallimet në qasjen drejt procesit të zgjerimit mes Këshillit dhe Parlamentit evropian dhe e pyeti ministrin portugez çka do të bëjë në mënyrë që të përshpejtohet zbatimi i metodologjisë së re për negociata.
“Asnjë ndryshim nga kjo metodologji nuk është vendosur”, tha Deli, duke shtuar se “nevojiten porosi pozitive në mënyrë që të përshpejtohet procesi i zgjerimit”.
Eurodeputeti Andreas Shider pyeti se në cilën mënyrë do të punohet për hapjen e negociatave me Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë. Shider gjithashtu tha se është i interesuar se çka do të ndodhë me dialogun mes Kosovës dhe Serbisë.
“Mendoj se është. me rëndësi që Evropa ta ndërmarrë udhëheqjen në atë dialog”, tha eurodeputeti.
Duke u përgjigjur në pyetjet e deputetëve, Santosh Silva tha se çështjet mes Maqedonisë së Veriut dhe Bullgarisë duhet të zgjidhen, sepse kjo “po reflektohet në BE në tërësi”, se ata shpresojnë për përparim në at[ë proces dhe se vendimet nga viti i kaluar lidhur me hapjen e negociatave me Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë duhet të zbatohen.