Kategoritë

BOTA Ballkani Perëndimor një nga gjashtë prioritetet e Bajdenit

Ndër prioritetet e politikës së jashtme të administratës së re amerikane është Ballkani Perëndimor, u theksua në bisedën telefonike midis presidentit të SHBA-së, Xho Bajden dhe kancelares gjermane Angela Merkel.

Sipas një komunikate të Shtëpisë së Bardhë, të dy udhëheqësit i theksuan temat prioritare, duke përfshirë Afganistanin, Kinën, Iranin, Rusinë dhe Ukrainën, si dhe Ballkanin Perëndimor, ku është aktuale çështja e zgjidhjes së marrëdhënieve dhe arritja e një marrëveshje midis Prishtinës dhe Beogradit.

“Presidenti Xhozef Bajden sot bisedoi me kancelaren gjermane Angela Merkel, duke përcjellë dëshirën e tij për të thelluar marrëdhëniet midis dy vendeve. Ai e shprehu qëllimin e tij për të ringjallur aleancën transatlantike, duke përfshirë NATO-n dhe Bashkimin Evropian, si një gur themeli të sigurisë kolektive dhe vlerave të përbashkëta demokratike”, theksohet në kumtesën e Shtëpisë së Bardhë.

“Ata gjithashtu u dakorduan për rëndësinë e bashkëpunimit global, duke përfshirë përkushtimin e ripërtërirë të SHBA-së ndaj organizatave shumëpalëshe, luftën kundër ndryshimit të klimës, luftën kundër Kovid-19 dhe përmirësimin e kujdesit shëndetësor, si dhe arritjen e rikuperimit të qëndrueshëm ekonomik global”, shtohet në komunikatë.