Kategoritë

POLITIKË Marrëdhëniet bilaterale dhe perspektiva e BE-së në fokus të takimit Osmani – Sakelaropulu

Progresi i marrëdhënieve dypalëshe pas Marrëveshjes së Prespës, situata në rajon dhe perspektiva evropiane e Maqedonisë së Veriut ishin temat e diskutuara nga presidentja greke Katerina Sakelaropulu dhe ministri i Punëve të Jashtme të Maqedonisë së Veriut, Bujar Osmani, njoftoi korrespondentja e MIA-s nga Athina.

Siç kumtuan nga kabineti i Sakelaropulu, presidentja greke tha se marrëdhëniet mes dy vendeve janë në një periudhë të re produktive, diçka që konfirmohet nga kontaktet e rregullta të nivelit të lartë dhe theksoi se Greqia pret një bashkëpunim edhe më të ngushtë mes dy vendeve.

“Presidentja siguroi se vendi ynë mbetet mbështetës i qëndrueshëm i perspektivës evropiane të Maqedonisë të Veriut, natyrisht gjithmonë me kriter kryesor, kushtet e vendosura dhe respektim të parimeve të fqinjësisë së mirë. Theksoi se zbatimi i plotë, i qëndrueshëm dhe dinjitoz i Marrëveshjes së Prespës është thelbësor, si për procesin e integrimit të Maqedonisë së Veriut në Bashkimin Evropian, ashtu edhe për marrëdhëniet tona dypalëshe”, kumtoi kabineti i Sakelaropulus pas takimit me Osmanin.

Ministri i Punëve të Jashtme të Maqedonisë të Veriut e informoi presidenten greke për zbatimin e Marrëveshjes së Prespës dhe mundësitë e bashkëpunimit mes dy vendeve dhe falënderoi Greqinë për mbështetjen e rrugës evropiane të vendit tonë.

Nga pallati presidencial, Osmani u nis për në Ministrinë e Punëve të Jashtme të Greqisë, ku po takohet me homologun e tij grek.

Siç kumtoi MPJ-ja e Greqisë, Dendias dhe Osmani do të diskutojnë tema në lidhje me marrëdhëniet dypalëshe midis dy vendeve, intensifikimin dhe thellimin e dialogut politik në fusha të ndryshme, si dhe Planin e veprimit për bashkëpunim dhe zbatimin e Marrëveshjes për partneritet strategjik (Prespës).

Prej MPJ-së së Greqisë kumtuan se fokusi i bisedimeve do të jetë në çështjet në lidhje me marrëdhëniet bilaterale politike dhe ekonomike, duke përfshirë bashkëpunimin në trajtimin e efekteve të pandemisë, si dhe tema me interes rajonal me një theks në perspektivën evropiane të Ballkanit Perëndimor.

Shefat e diplomacive të të dy vendeve, siç tanimë publikoi MIA, pas takimit do të nënshkruajnë tre memorandume bashkëpunimi: njëra do të jetë për mbrojtjen civile, tjetra për bashkëpunimin në mes akademive diplomatike dhe e treta në mes “Invest North Macedonia” dhe “Enterprise Greece”.

Pas nënshkrimit, memorandumet do të pasohen me konferencë shtypi në Ministrinë e Punëve të Jashtme të Greqisë nga të dy ministrat e Punëve të Jashtme.

Osmani do të takohet gjithashtu me shefin alternativ të diplomacisë greke, ndërsa do të përfundojë vizitën e tij njëditore të punës në Athinë me takim me kryeministrin e Greqisë, Kirjakos Micotakis.

Leave a Comment

You must be logged in to post a comment.