Ministrat e punëve të jashtme të Maqedonisë së Veriut dhe Bullgarisë ranë dakord që në ditët në vijim të shkëmbejnë propozime nga të dy palët për Planin e veprimit për zbatimin e detyrimeve të Marrëveshjes së miqësisë nga viti 2017, me qëllim që të gjendet mënyrë për të forcuar zbatimin dhe efikasitetin e saj.
Me këtë nga MPJ-ja presin të kthehet besimi në Marrëveshjen dhe në procesin e dialogut mes dy vendeve për largimin e dallimeve dhe paralajmërojnë se i përfaqësuesit special Buçkovski do të udhëtojë shpesh për në Bullgari me qëllim përcjelljen e Planit të veprimit dhe inkurajimin e bashkëpunimit në të gjitha nivelet.
Nga MPJ kumtuan se gjatë komunikimit të rregullt mes dy palëve ka shkëmbim të vazhdueshëm të mendimeve dhe ideve; dy anët shpesh ndajnë propozime të tyre dhe pikëpamje në të cilat i apostrofojnë dhe sqarojnë pozicionet e tyre.
“I fundit nga seria është Plani aksionar për zbatimin e obligimeve nga Marrëveshja për miqësi nga viti 2017, që është propozim nga ana jonë, e për të cilën presim këto ditë të marrim përgjigje dhe/ose propozim vërejtje dhe propozime nga Republika e Bullgarisë”, theksuan dje nga MPJ.
Ministri i Punëve të Jashtme, Bujar Osmani thotë se zgjidhja e vetme dhe formula për Bullgarinë është t’i kthehemi parimit të Marrëveshjes, por edhe të gjenden mekanizma si të bëhet më e shpjet, më dinamike që të japë rezultatet.
Në një intervistë për Radion Evropa e Lirë theksoi se tani kur hyjmë në një aleancë tjetër me shtete të tjera edhe në NATO edhe në BE, me Bullgarinë, me Greqinë, me Shqipërinë, nuk mundeni me thjerrën e njëjtë ta shihni botën.
“Për mua problemi qëndron aty që është definuar në Marrëveshjen për fqinjësi të mirë. Çdo dalje nga marrëveshja e bën problemin më konfuz, të pakuptueshëm dhe që këtu edhe konstatimi i kryeministrit, ndjenja është se po dilet nga korniza e nënshkruar dhe kjo krijon konfuzion pasi nuk është në kornizë. Vetëm korniza e shpjegon shikimin dhe prandaj vlerësoj se zgjidhja e vetme, formula e vetme është të kthehemi në parimin e marrëveshjes, por të gjejmë mekanizma si ta bëjmë më të shpejtë, më dinamik që të krijojë rezultate”, thotë Osmani në intervistën për Radion Evropa e Lirë.
Sipas tij kontestuese është që po dilet nga korniza.
“Kontestuese janë dallimet në pritshmëri. Fillimisht lidhur me marrëveshjen, dallimet në pritshmëritë për shpejtësinë e implementimit, për dinamikën, për qëllimin e implementimit. Mendoj se këto marrëveshja nuk i ka definuar në mënyrë precize, pasi marrëveshja nuk parasheh dinamikë kohore, as marrëveshja nuk i parasheh ca bençmarqe të caktuara të cilat duhet të realizohen në periudhë të caktuar. Këtu është lënë në vullnetin e të dyja vendeve për t’i tejkaluar dallimet dhe të gjejnë pika të përbashkëta në një aleancë të re, siç janë NATO dhe BE. Pikërisht në këto çështje të papërkufizuara saktë secili ka pritshmëri të ndryshme dhe këto pritshmëri siç duket tek njerëzit, tek shtetet krijojnë trazira dhe ankth, pasi secili dëshiron ta ketë të pasqyruar procesin”, thotë Osmani.
Kur mungon pasqyra e qartë, atëherë secili del me agjendën e vet, atëherë edhe periudha parazgjedhore i përkeqëson këto gjendje dhe prandaj vlerëson se po i kthehemi marrëveshjes, po krijojmë pasqyrë të qartë në implementim dhe këtu mendoj se do të pastrohen dilemat lidhur me atë, kush, çfarë pret.
Osmani potencon se është gabim nëse cilido nga shtetet tenton të marrë jo vetëm pjesë të marrëveshjes ose prej marrëveshjeve, ajo që u konvenon.
“Qëllimi i Komisionit është t’i zgjidhë dilemat historike në kontekst të arsimit, në kontekst t tejkalimit të stereotipave në Ballkan në tekstet shkollore të cilat i shohin popujt si mike dhe kështu t’i mësojmë fëmijët se këtu popujt janë armiq dhe kështu ata duhet ta ndërtojnë pikëpamjen e tyre ndaj fqinjit, por jo historinë si çështje e identitetit të popujve, pasi çështja e identitetit del nga e drejta e vetëpërcaktimit të shteteve dhe nuk është çështje e kontestit dhe mendoj se këtu është dallimi kryesor. Ky përkufizim do të bëhet dhe mendoj se atëherë njerëzit më lehtë do ta shohin edhe Komisionin edhe këtu tek ne më pak emocionalisht do ta kuptojnë rolin e komisionit. Ndërsa unë mendoj se ky është problemi – emocionet. Ku ka emocione, nuk ka racionalitet, neve tani na duhet qasje racionale, veçimi i historisë si çështje arsimore, versus historisë si kontest identitar”, thotë Osmani.
Lideri i VMRO-DPMNE, Hristijan Mickoski, tha dje se një ministër nga Qeveria bullgare konfirmoi se ekziston një Aneks prej 12 pikave të Marrëveshjes, i cili sipas informacionit të tij ka pozicione jashtëzakonisht të këqija për identitetin maqedonas.
“Tre muaj më parë, në “Vetëm intervistë” në televizionin Kanal 5, thashë se ekziston një Aneks i Marrëveshjes me Bullgarinë. Atëherë u sulmova nga Zaevi, bashkëpunëtorët e tij të pafuqishëm dhe propaganda e rreme e qeverisë se po përhapja të pavërteta”, tha Mickoski.