Intervistë me profesorin universitar Zylyftar Bregu për gjendjet në Shqipëri, anëtarësimin në BE për dy vendet fqinje, ndikimin e politikave të jashtme, lajmet e rreme dhe gjuhën e urrejtjes, nga këndvështrimi i tij.
CIVIL: Fillimisht do të donim vlerësimin tuaj për situatën politike aktuale në Shqipëri dhe cilat janë perspektivat për vitin 2021?
Bregu: Jemi në fillim të një viti elektoral, të një sezoni të zgjedhjeve të rregullta parlamentare. Por, këto zgjedhje parlamentare vijnë në sfondin kur opozita zyrtare është jashtë Parlamentit. Palët hyjnë në këtë fushatë zgjedhore me një mungesë besimi ndaj njëra tjetrës, sepse sipas opozitës, pozita ka shkelur marrëveshjen e 5 Qershorit, sa i përket rregullave, pra i ka prishur rregullat ndërkohë që ka filluar gara. Nuk kemi sistem të qartë, nuk kemi Gjykatë Kushtetuese, Gjykatë të lartë, Gjykata e Apelit po del thuajse jashtë funksionit. Pra, mungon arbitri që është sistemi gjyqsor, kemi situatë ekonomike të pafavorshme, qoftë përsa i përket pasojave që na i ka lënë Kovidi, qoftë pasojave që na ka lënë tërmeti i vitit 2018. Pra kemi një situatë pak gri në këtë kapërcim vitesh kalendarike dhe në këtë fillim të një sezoni elektorat.
CIVIL: Cilat prisni të jenë perspektivat e vitit 2021, pra trendet ku do të duhet të fokusohet më shumë qoftë politika zyrtare, qoftë shoqëria civile në përgjithësi.
Bregu: Sfida më afatgjate duhet të jenë zgjedhjet e 25 prillit dhe rifutja në institucione e opzitës zyrtare, sepse nga këto zgjedhje do të varet pak, jo shumë, edhe perspektiva evropiane e Shqipërisë. Pra, sfida afatshkurtër janë zgjedhjet parlamentare, standardi i këtyre zgjedhjeve, sigurisht pas kësaj është situata ekonomike dhe situata e bnanorëve që janë të pastrehë nga tërmeti i vitit 2018.
CIVIL. Përmendët edhe ju integrimin në Bashkimin Evropian. Sa Shqipëria realisht është afër Bashkimit Evropian dhe faji i kujt është për mos hapjen e këtyre bisedimeve?
Bregu: Është interesant fakti që në qoftë se të gjitha shtetet kur fillojnë procesin e integrimit bëjnë një hap para për tu afruar me BE, Shqipërisë i ka ndodhur të bëjë një hap pas dhe të largohet nga Bashkimi Evropian. Pra, Shqipëria ka qenë shumë afër në vitin 1996, përsëri në vitin 2006, por tani jemi shumë larg. Përse jemi larg është një diskutim i gjatë, por unë mendoj edhe për shkak të zhvillimeve të brendshme të BE-së, por sidomos sa i përket situatës së brendshme ekonomike, sociale, politike, ligjore në Shqipëri. Faji më i madh është për shkak të problemeve të brendshme që ka Shqipëria dhe faji më i madh është i të gjithë lidershipit politik shqiptar, për shkak se shqiptarët në çdo matje që ju bëhet janë populli më proevropian, edhe politikanët thonë që Shqipëria nuk ka një plan B, pra rruga e Shqipërisë është për në BE. Por politikanët bëjnë të kundërtën e asaj që thonë dhe na kanë lënë në këtë derexhe sa i përket marëdhënieve tona me BE-së. Pra ne kemi ecur mbrapa dhe jemi më larg se që ishim dikur.
CIVIL: Maqedonia e Veriut realisht mori vlerësim pozitiv dhe një konstatim të përgjithshëm se i plotëson standardet për hapjen e bisedimeve, por u bllokua nga Bullgaria për shkak të kontestit. Si po komentohet problemi më i ri i Maqedonisë së Veriut në këtë proces euro integrues?
Bregu: Janë dy komente, dy qëndrime, dy analiza. Një është ai që bën propaganda e mazhorancës e cila thotë ja neve nuk na integrojnë jo për fajin tonë por për shkak të problemeve që ka BE dhe ja ku e keni Maqedoninë e cila është përpara nesh, por pavarësisht kësaj Maqedonia nuk është në BE për shkak se e bllokon Bullgaria që është anëtare e BE-së. Dhe qëndrimi i dytë është një lloj keqardhje për gjithë ato përpjekje dhe ato rrezultatete që ka bërë Maqedonia e Veriut, jo vetëm reformave por edhe sfidave që ka pasur si ajo e ndërrimit të emrit, por edhe rregullimi i raporteve me Greqinë. Është një lloj keqardhje që Maqedonia e Veriut nuk arriti të shkojë një hap para në integrimin me BE-në. Por nga ana tjetër që jemi dy deshtakë, mirë që jemi dy se po të ishim vetëm për Shqipërinë do të ishte dhe më keq.
CIVIL: Një nga sfidat kryesore jo vetëm të rajonit të Ballkanit por edhe më gjërë janë lajmet e rrejshme dhe gjuha e urrejtjes që kanë kapluar tanimë Evropën dhe botën. Sa këto dy probleme janë serioze në Shqipëri dhe a kemi trend të rritjes së lajmeve të rrejshme dhe gjuhës së urrejtjes apo janë probleme të izoluara?
Bregu: Janë fenomene që kanë lindur me teknologjinë, me median sociale. Deri tani as njëra as tjetra nuk ka dhënë ende pasojat, ndikimin e saj në shoqërinë shqiptare, për shkak se ndikimi i mediave sociale në opinionin publik është ende i vogël, por është një shqetësim që duhet amortizuar. Ka nisma për ti bërë ballë këtij fenomeni, ka projekte që mbështeten nga miqtë tanë evropian dhe amerikan. Nuk është ende ndikimi i mediave sociale sa të bëjë problem madhor, por një problem që sa vjen e rritet. Por, në Maqedoni siç kanë treguar edhe rastet, situata është më delikate sesa në Shqipëri, qoftë për shkak të strukturës sociale, qoftë për shkak të ndikimeve që janë më të mëdhaja sesa në Shqipëri, të rrymave apo shteteve të tjera që janë kundër integrimit të rajonit në Bashkimin Evropian.
CIVIL: Kur jemi te ndikimi i shteteve të tjera, është përmendur ndikimi rus edhe në Shqipëri edhe në rajon. Realisht a ka ndikim rus në proceset politike në Shqipëri dhe në çafarë forma manifestohen?
Bregu: Unë mendoj se jemi përballë dy proceseve që janë të natyrshme, por ende nuk janë në atë nivel të përbëjë një shqetësim. Është në të drejtën e Rusisë që ajo të përpiqet të ndikojë, por unë nuk i dij format me të cilat përpiqet të ndikojë. Por unë mendoj që lidershipi politik shqiptar nuk është tundosur nga këto lloj miglimesh apo presionesh të politikës ruse në Shqipëri. Pra lidershipi shqiptar është i qartë në rrugën, në zgjedhjen e tij dhe aleanca strategjike që Shqipëria ka me SHBA është një imunitet përballë ndikimit rus. Më shumë sesa ndikimi rus unë do të thoja që në Shqipëri është ndikimi turk, ose herë herë për shkak të disa veprimeve që ka bërë Shqipëria për marjen edhe të opozitës iraniane në Shqipëri, ndikimi iranian. Dhe për këtë Shqipëria ka dëbuar disa nga diplomatët e Iranit në Shqipëri. Pra më shumë do të thoja është ndikimi turk, përmes disa formave, është në aspektin kulturor, në aspektin eknomik, etj etj.
Arben Zeqiri
Montoi: Arian Mehmeti