Duhet të mësohemi se që nga dita kur do t’i fillojmë bisedimet secilin vit, ndërsa ndoshta edhe tri herë në vit kur ka samit, do të jemi nën tension se a do të arrihet konsensus i 27 shteteve për një hap, sepse çështjet e zgjerimit në BE sillen me konsensus. Duhet të mësohemi se ashtu do të jetë çdo dit deri në anëtarësimin e plotfuqishëm, porositi sonte ministri i Punëve të Jashtme, Bujar Osmani dhe shtoi se bisedimet e sotme në Sofje janë bazë e mirë që të vazhdohet më tutje për tejkalimin e paqartësive të cilat i kemi me Bullgarinë.
Osmani në emisionin 24 analizë në TV 24 theksoi se është ende e pasigurt se a do t’i fillojmë bisedimet në dhjetor për anëtarësim në Bashkimin Evropian dhe a do ta përdorë Bullgaria të drejtën e saj të vetos.
“Vendimi merret në Këshillin e Ministrave për Çështje Evropiane dhe Punë të Jashtme që duhej të mbahej më 10 nëntor, megjithatë është shtyrë nga Presidenca fillimisht për më 17 nëntor për harmonizim mes vendeve anëtare sa i përket tekstit të kornizës. Nuk mund të jap prejudikim një qind për qind për momentin se cili do të jetë vendimi i 27 vendeve anëtare. Atë që e di është se ne do të punojmë deri në minutën e fundit të ditës së fundit që të mund të ofrojmë. Sot në Sofje kishim bisedë të hapur dhe konstruktive sa i përket të gjitha çështjeve, hapur për të gjitha shqetësimet dhe çështjet e ndjeshme nga të dyja palët sa i përket procesit, pritjeve, arritjeve, mundësive, projeksioneve, alternativave. opsioneve, etj. Dhe mendoj se ishte bazë e mirë që të vazhdohet më tutje”, tha Osmani.
Qëllimi ynë, shtoi, është që përmes punës së përkushtuar, përmes strategjive të parashikueshme të arrijmë deri në zgjidhjen e cila do ta hapë rrugën dhe do t’i afrojë të dyja shtetet në procesin e mëtutjeshëm. Potencoi se Presidenca gjermane punon në mënyrë parimore që të gjendet zgjidhje duke pasur kujdes për ndjeshmërinë ndaj të dyja palëve.
“Si vend kandidat ndjejmë mbështetje serioze nga Presidenca gjermane dhe kjo na inkurajon që të mos e humbim shansin. Presidenca gjermane seriozisht e ka parasysh rajonin tonë”, tha Osmani.
Ministri Osmani potencoi se në Sofje është biseduar edhe për kërkesat e palës bullgare dhe shtoi se ata konsiderojnë se puna e komisioneve nuk mjaftonte që të shohin se po japin rezultat.
“Biseduam hapur. Mbeten këto ditë të shfrytëzohet komunikimi i ndërsjellë mes grupeve. Bëmë mesatare të asaj që është arritur. Megjithatë, ka disa hapa përpara në tejkalimin e shqetësimeve. Folëm për bisedime me dinjitet mes të dyja shteteve. Vazhdojnë bisedimet deri në minutën e fundit para mbajtjes së samitit. Supozoj se prisni që unë sot të hyj në hollësi. Nuk do të ndihmoj sepse thashë kjo është puna e cila po vijon dhe mund të ndikojmë negativisht”, ndërsa është e rëndësishme për të gjithë ne”, theksoi Osmani.
Sipas tij, nevojitet që të ketë kohezion të brendshëm në vend që të zgjidhet një çështje komplekse siç është kjo dhe shtoi se vlerëson se edee opozita duhet të jetë e përfshirë. Theksoi se është i hapur për takime me secilin nga opozita që të thotë se deri ku janë bisedimet. Megjithatë, theksoi se ende nuk ka vendosur se a do të marrë pjesë në mbledhjen e Komisionit kuvendor për Punë të Jashtme të enjten për marrëdhëniet me Bullgarinë.
“Nuk jam i sigurt se a është i mençur mendimi që të jepet mendimi publik”, tha Osmani.
Si kërcim kuantik e vlerësoi pajtueshmërinë tashmë të arritur për pesë periudha historike dhe tre personalitete dhe shtoi se paraprakisht gjatë 70 viteve të kaluara nuk ishte arritur marrëveshje për asnjë çështje. Për Goce Dellçevin tha se duhet të vendosin historianët që është e pranueshme për të dyja palët, e jo politikanët.
I pyetur se a mund të përfshihet ndonjë ekspert gjerman në punën e komisioneve, osmani theksoi se një ndihmë e tillë do të ishte e mirëseardhur, se për këtë tashmë është biseduar, ekspertë të cilët kanë përvoja nga konteste të ngjashme, si ai gjerman-polak, ose gjerman-çek, por deri më tani nuk ka konsensus për këtë.
Për qëndrimin e Karakaçanovit se vendi ka ultimatum deri të premten që t’i pranojë kërkesat bullgare, ministri i Punëve të Jashtme tha se atmosfera para zgjedhjeve është më e fuqishme se sa politikanët dhe potencoi se nuk ka afat të tillë. Afati i ardhshëm, siç tha, është 17 nëntori kur është mbledhja e Këshillit të Ministrave, ndërsa nëse deri më atëherë nuk zgjidhet problemi mbetet që kjo të bëhet deri në dhjetor.