Kategoritë

ARSIM Kanë filluar përgatitjet për testimin provë PISA në 2021

Me onlajn-trajnime të mësimdhënësve dhe drejtorëve nga shkollat e mesme në vend, Ministria e Arsimit dhe Shkencës i ka filluar përgatitjet për testimin e ardhshëm provë PISA.

Ministrja e Arsimit dhe Shkencës, Mila Carovska u uroi trajnim të suksesshëm mësimdhënësve dhe drejtorëve, duke theksuar se ato janë hallkë më e rëndësishme për arritjen e rezultateve të mira të testimit.

“Që rezultatet e testeve të bëhen krenaria jonë kombëtare kërkon një angazhim dhe punë të madhe nga të gjithë ne. Kjo është arsyeja pse mësimdhënësit dhe mënyra se si ata do t’i transferojnë njohuritë tek fëmijët janë thelbësore në këtë proces dhe në rezultatet që do t’i arrijmë vitin e ardhshëm. Përmirësimi i cilësisë dhe rritja e efikasitetit të arsimit sipas standardeve moderne arsimore botërore janë qëllimet kryesore të politikës sonë arsimore. Për atë qëllim, ne jemi duke e organizuar këtë trajnim i cili duhet t’i përmirësojë rezultatet e testeve të ardhshme”, tha Carovska.

PISA ((Programme for International Student Assessment) është një studim ndërkombëtar që i vlerëson aftësitë, njohuritë e nxënësve në moshën 15 vjeçare, kryesisht në tre fusha: aftësi për lexim me kuptim – dhe qasja kritike për leximin e materialeve të shkruara, shkrim-leximi matematikor, interpretim dhe zgjidhje e një problemi duke organizuar dhe interpretuar informacione të dhëna dhe duke zgjedhur një metodë për zgjidhjen dhe shkrim-lexim në shkencat natyrore – njohja e pyetjeve shkencore, përdorimi i njohurive shkencore, identifikimi i përmbajtjes në kërkimin shkencor dhe lidhja e të dhënave shkencore me provat dhe përfundimet.

“PISA është program i vazhdueshëm ciklik që ofron pasqyrë në politikat dhe praktikat arsimore dhe ndihmon në ndjekjen e trendëve në përvetësimin e njohurive dhe aftësive të studentëve të së njëjtës moshë në vende të ndryshme dhe nëngrupeve të ndryshme demografike në secilin vend. Ky vlerësim jo vetëm konfirmon nëse nxënësit mund t’i riprodhojnë njohuritë e tyre, por gjithashtu shqyrton se sa mirë ata mund ta përdorin atë që kanë mësuar në situata të panjohura në shkollë dhe jashtë saj”, informon MASH për testimet PISA organizuar nga Organizata për Bashkëpunim Ekonomik dhe Zhvillim (OECD).