Kategoritë

SHOQËRI Janë kryer 742 kontrolle, mbyllet një objekt në Gostivar

Inspektorati shtetëror i tregut (ISHT) kumtoi se shërbimet inspektuese prej mbrëmë veprojnë sipas autorizimeve të reja, në pajtim me ndryshimet dhe plotësimet e Ligjit për mbrojtjen e shëndetit të popullatës nga sëmundjet infektive. Me këtë rast në shumë qytete në shtet janë kryer gjithsej 48 mbikëqyrje dhe 742 kontrolle në objektet hotelierike, kazino dhe bastore në pajtim me Ligjin për veprimtari hotelierike, Ligjin për mbrojtje nga pirja e duhanit dhe protokollet shëndetësore.

Siç informoi ISHT-ja, në Gostivar janë kryer dy mbikëqyrje dhe 50 kontrolle, ndërsa në objektin hotelierik i cili gjendet në QT “Javor”, është konstatuar shkelje e dispozitave të reja nga Ligji i ndryshuar për mbrojtjen e shëndetit të popullatës nga sëmundjet infektive, për çka do të ndërmerren masa përkatëse.

Më shumë kontrolle dhe mbikëqyrje janë zbatuar në Shkup, gjegjësisht 213 kontrolle dhe 12 mbikëqyrje, me ç’rast nuk janë konstatuar shkelje të protokolleve shëndetësore. Në Manastir janë zbatuar 9 mbikëqyrje dhe 131 kontrolle, në Shtip tre mbikëqyrje dhe 83 kontrolle, në Kavadar tre mbikëqyrje dhe 63 kontrolle, në Strumicë dy mbikëqyrje dhe 50 kontrolle, ndërsa kontrollet dhe mbikëqyrjet tjera janë në Tetovë, Ohër, Kumanovë, Manastir dhe Strugë.

Sipas ndryshimeve dhe plotësimeve të reja të Ligjit për mbrojtjen e shëndetit të popullatës nga sëmundjet infektive, nëse në terren inspektorët konstatojnë se një person i caktuar juridik i shkel protokollet shëndetësore, në momentin e njëjtë do t’i shqiptohet ndalesë e përkohshme për kryerjen e veprimtarisë prej 10 deri në 30 ditë, gjegjësisht objekti në vendin e ngjarjes do të mbyllet.