Kategoritë

EKONOMI Për kompanitë me të ardhura më të ulëta, mbështetje më e madhe financiare për pagesë të pagave

Kompanitë të cilat gjithnjë e më shumë  janë goditur nga kriza, gjegjësisht të cilat kanë rënie më të madhe  te të ardhurat, do të marin mbështetje më të madhe financiare për pagesë të pagave, parashikon Ligji i ri për mbështetje financiare që dje e miratoi Qeveria dhe i cili do të dërgohet  për miratim në Kuvend.

Nga Ministria e Financave dje sqaruan se nëse  kompania ka  të ardhura të ulëta prej mbi 80 për qind, atëherë vlera e mbështetjes financiare për pagesë të pagave do të arrijë deri në 21.776 denarë për punëtor,  ndërsa kompanitë me të ardhura të ulëta prej 30-40 për qind, do të marrin mbështetje deri në 14.500 denarë për punëtor.

Për të ardhura të ulëta prej 40,1 deri 50 për qind janë parashikuar  deri në 15.955 denarë për punëtor, për të ardhura të zvogëluara prej 50,01 deri 60 për qind deri në 17.410 denarë, për të ardhura të zvogëluara prej 60,1 deri në 70 për qind deri në 18.865 denarë për punëtor dhe për të ardhura të zvogëluara prej 70,1 deri në 80  për qind deri në 20.320 denarë për punëtor.

“Punëdhënësit do të munden të aplikojnë për mbështetje financiare deri në 21.776 denarë për punëtor, deri në datën 7 të këtij muaji për muajin paraprak,  ndërsa shfrytëzues do të mund të jenë firmat  të cilat kanë së paku 30 për qind rënie  të të ardhurave në periudhën  nga prilli deri në tetor të vitit 2020, krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit të kaluar”, informojnë nga Ministria e Financave.

Në vendimin ligjor janë parashikuar edhe  mekanizma mbrojtës për pagën që të arrijë  e plotë deri te punëtori, gjegjësisht në rast se punëdhënësi  paguan pagë më të vogël, janë parashikuar gjoba deri në 10 mijë euro, në varësi të madhësisë së subjektit juridik.

Me propozim-ligjin nuk janë përfshirë firmat  të cilat kanë realizuar profit  më të madh se 10 milion euro në tre vitet e fundit. Si periudhë referente në ligj merret rezultati financiar i firmave nga prilli deri në tetor, nëntor dhe dhjetor të vitit 2020,  dhe krahasohet me periudhën e njëjtë të vitit të kaluar. Në rast se firma  është regjistruar  pas shtatorit të vitit 2019 , merret data e regjistrimit në Regjistrin qendror, thonë nga Ministria.

Firmat të cilat kanë aplikuar për masën, nuk mund të paguajnë dividentë dhe shpërblime për suksesin afarist. Mund të kenë më së shumti 10 për qind  të të punësuarve me neto-pagë mujore prej mbi 120.000 denarë.

Për këtë masë nuk mund të aplikojnë firmat të cilat në qershor, korrik, gusht dhe shtator kanë paguar neto pagë për punëtor më të lartë se 39.000 denarë. Masën nuk mund ta shfrytëzojnë  edhe firmat të cilat për punëtor  e shfrytëzojnë masën “Maqedonia punëson”, si dhe për të punësuarit të cilët janë angazhuar  për punë plotësuese.

Punëdhënësit të cilët e shfrytëzojnë masën, nuk guxojnë ta zvogëlojnë numrin e të punësuarve dy muaj pas përfundimit të muajit për të cilin është shfrytëzuar  mbështetja financiare, duke e përfshirë edhe shkurtin e vitit 2021, përveç në rast të pensionimit,  ndërprerjes së marrëveshjes  për punësim nga ana e punëtorit, marrja e punëtorit me marrëveshje,  anulim i marrëveshjes për punëtor pa afat të njoftimit nga ana e punëdhënësit për shkak të shkeljes së rendit të punës dhe disiplinës ose obligimet e punës dhe ngjashëm.