Kategoritë

Takim liderësh Kasami: Datë për zgjedhje të caktohet pas përfundimit të gjendjes së jashtëzakonshme

Lideri i Lëvizjes Besa, Bilall Kasami sot pas takimit të liderëve shprehu keqardhje që nuk u arrit asnjë marrëveshje për datë të re për zgjedhjet. Ai theksoi se ata si Lëvizje Besa, mendojnë se data e zgjedhjeve duhet të përcaktohet pas përfundimit të gjendjes së jashtëzakonshme.

“Sipas ekspertëve, situata me koronën do të vazhdojë edhe më tej deri në zbulimin e vaksinës dhe ne do të duhet të biem dakord për datë për zgjedhjet që do të jetë pas përfundimit të gjendjes së jashtëzakonshme. Zgjedhjet i shtyme me vendim politik dhe tani afatet po mbarojnë, sepse nuk kemi rënë dakord rreth zgjedhjeve të reja dhe tani Qeveria dhe presidenti duhet të vendosin se sa do të zgjasë gjendja e jashtëzakonshme dhe më pas të caktohet edhe një datë për zgjedhjet. Propozimi ynë ishte qershori, por për këtë do të vendoset pasi të ndërpritet gjendja e jashtëzakonshme”, deklaroi Kasami pas takimit.

Ne, shtoi, dëshirojmë që numri i personave të infektuar dhe viktimave nga koronavirusi të ulet vazhdimisht dhe të arrijë në zero, por apeloj tek institucionet që t’i përgatisin qytetarët për zgjedhjet e mëtejshme.

“Propozimi ynë si Lëvizja Besa është se zgjedhjet duhet të jenë brenda kornizës së Kushtetutës dhe ligjeve që më tej qeveria e dalë nga ato zgjedhje të jetë në gjendje të ballafaqohet më mirë si me gjendjen shëndetësore ashtu edhe me atë ekonomike”, tha Kasami.

Ai theksoi se duhet të mendohet për heqjen e orës policore, të respektohen masat për mbrojtje dhe qytetarët psiqikisht të përgatiten për zgjedhje.

Leave a Comment

You must be logged in to post a comment.