Kategoritë

KOSOVA TANI KA ALBININ DHE VJOSËN DHE SHANSIN PËR ARDHMËRI, KË KANË SHQIPTARËT NË MAQEDONI?

E re, e shumëpritur, e stërnegocijuar..qeveria e Albin Kurtit dhe shumica parlamentare e VV-LDK në krye me Vjosa Osmanin, për Kosovën janë shansi i fundit real për kyçje në trenin për Evropë.

Kosova e fitoi luftën për liri, por në këto vite pavarësi nuk e fitoi luftën e paqes. Për fat të keq, pas lirisë, erdhën vite të vendnumrimit dhe degradimit, të shkaktuar mu nga disa prej atyre që kontribuan për lirinë e saj, e që për kundërshpërblim zurën peng ardhmërinë e mbarë vendit.

Kosova më në fund fitoi mundësinë për të luftuar. Kësaj rradhe jo një luftë me plumba, por luftë për të cilën nevojitet shumë punë, shumë mençuri, dituri, njohuri, mobilizim të të gjitha kapaciteteve më të mira të vendit, jashtë kufijve të shtabeve partiake.

Fitoi shansin për të luftuar hajninë dhe korrupsionin, injorantët dhe hajnat e infiltruar në institucione, papunësinë dhe ikjen e rinisë dhe të të aftëve për shkak të mungesës së mundësive për ata që nuk janë familjarë apo ushtarë të pushtetarëve, ekonominë dhe bujqësinë e shkatërruar, arsimin e degraduar, shëndetësinë e gjunjëzuar, mjedisin e ndotur dhe të helmuar. Të luftojë ato sëmundje që ia shkatërruan ato inde të organizmit të saj, të cilat nuk kishte arritur t’i shkatërrojë as Millosheviqi.

Sfida dhe pengesa ka shumë, e ndoshta është shansi i fundit i shqiptarëve të Kosovës për të kapur trenin për Evropën e shekullit 21. Por, pas dy dekadave sundimi të atyre që fituan në luftë por dështuan kolosalisht në paqe, Kosova, më në fund, e fitoi atë shans – për të ecur drejt ardhmërisë.

Po kush do t’ua sjellë atë shans – për luftë kundër, krimit, korrupsionit, hajnave, halabakëve partiakë në institucione, ikjes së rinisë – shqiptarëve të Maqedonisë?

#UrimeKosove