Kategoritë

Komisioneri për Zgjerim viziton Shkupin dhe Tiranën me 15-16 janar

Dy muaj para vendimit për negociatat, eurokomisioneri për Zgjerimin Oliver Varhelyi do të zhvillojë takime zyrtare në Tiranë dhe Shkup. Me 16 janar zyrtari i lartë i BE-së do të japë porositë e fundit për politikën shqiptare para Samitit të Këshillit Evropian, në të cilin vendet anëtarë do të vendosin nëse Shqipëria e meriton apo jo dritën jeshile për hapjen e negociatave.

Çështja e negociatave për Ballkanin Perëndimor do të sjellë eurokomisionerin për zgjerimi Oliver Varhelyi me 16 janar në Tiranë. Pas takimeve me kryeministrin francez dhe ministrin e jashtëm holandez, Varhelyi do t’i përcjellë krerëve të shtetit shqiptarë rezervat dhe kërkesat që kanë këto dy vende skeptike ndaj vendit tonë. Holanda ka kërkuar nga autoritetet shqiptare rezultate konkrete në luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit.

Gjatë vizitës së tij në kryeqytetin shqiptar, zyrtari i lartë i BE-së do të ketë takime me presidentin Ilir Meta, kryeministrin Rama dhe kryetarin e Kuvendit Gramoz Ruçi.

Gjithashtu eurokomisioneri ka lajmëruar takime edhe me përfaqësuesit e opozitës, por pa caktuar nëse do të jetë ajo parlamentare apo PD bashkë me aleatët e saj.

Vizita në Tiranë vjen pas takimeve të eurokomisionerit me përfaqësuesit politikë në Maqedoninë e Veriut.

Në fund të marsit, në mbledhjen e Këshillit Evropian pritet të merret vendimi nga shtetet anëtare të unionit në lidhje me negociatat për Tiranën dhe Shkupin.

Varhelyi pas takimeve politike do të vizitojë edhe zonat e prekura nga tërmeti i 26 nëntorit që shkaktoi 51 viktima dhe qindra banesa të shkatërruara.

Ndërkohë që me 17 shkurt. Komision Evropian do të mbajë në Bruksel edhe Konferencën e Donatorëve, për t’i ardhur në ndihmë Shqipërisë. /Gazeta Sinjali/

Leave a Comment

You must be logged in to post a comment.