Kategoritë

PROTESTA Rama u ik studentëve

Kryeministri i Republikës së Shqipërisë Edi Rama deklaroi se studentët janë ata që po e mbajnë peng plotësimin e 8 kërkesave të artikuluara në protestat për përmirësimin e arsimit të lartë në Shqipëri.

Në seancën e sotme plenare, studentët i kishte të gjithë jashtë për të dalë para tyre dhe për t’i treguar me fakte se kërkesat e tyre janë plotësuar, por kreu i qeverisë pasi u largua nga salla e Parlamentit, u paraqit në Twitter, në vend se para studentëve.

“Miq! Kori i protestës kur s’të dëgjojnë është domosdoshmëri. Refuzimi në kor i Dialogut është dobësi. Ju duhet ta dini që UNE JAM ME JU. Jam gati për të 8 PIKAT. Duhet të diskutojmë si e kur do të realizohen. Nëse ju s’doni ta kuptoni këtë, vazhdoni mbajini peng të 8 PIKAT. Unë ju pres”, shkruan Rama në Twitter.

Ky është komunikimi i vetëm që ai ka pasur me studentët, dhe që përsëritet prej gati 10 ditësh protestë së tyre. Dialog! Por studentët kanë refuzuar në mënyrë kategorike, duke thënë se ajo çka mbetet për tu bërë nga kryeministri, është thjesht plotësimi i tetë kërkesave në mënyrë ligjore. Ata nuk pranojnë negociata pasi duke krijuar një grup përfaqësues për negociata me kryeministrin, studentët janë të sigurt se ata do të shantazohen.

D. T.