Në Gjykatën penale vazhdoi gjykimi për lëndën “Trajektorja” e Prokurorisë Speciale Publike (PSP) me dëgjimin e “bombave” për të cilat mbrojtja kërkoi që opinioni të përjashtohet.
Në “bombart” dëgjohet se si ish-zëvendëskryeministri Vlladimir Peshevski e këshillon ish-ministrin e Transportit dhe Lidhjeve, Mile Janakieski të zgjedhin kompani të madhe ndërtimi nga Kina e cila ndërkaq do t’u ndihmojë të marrin kredi, sepse, siç thotë, ata kanë njerëz të tyre të cilët ndërmjetësojnë me bankat kineze.
Mbrojtja e Peshevskit tha se në bisedat (bombat) në të cilat bën pjesë ai, nuk ekziston kurfarë vepre penale që i ngarkohet. Ata konsiderojnë se PSP duhet t’i parashtrojë të gjitha bisedat, e jo siç kanë bërë në mënyrë selektive.
Mbrojtësi i Mile Janakieskit dhe Nikolla Gruevskit, Dimitar Dangov tha se ka vërejtje ndaj mospërshtatjes së dëshmive. Dangov kërkoi pauzë në mënyrë që të konsultohet me këshilltarin teknik.
Në lëndën “Trajjektorja” të akuzuar janë ish-kryeministri Nikolla Gruevski, ish-zëvendëskryeministri Vlladimir Peshevski, ish-ministri i Transportit dhe Lidhjeve Mile Janakieski dhe idh-drejtori i NP “Rrugët e shtetit”, Ljupço Georgievski.
Sipas PSP-së, ata në vitin 2012/2013 i kanë tejkaluar autorizimet e tyre në procedurën për zgjedhje të kompanisë për ndërtim të aksit të autostradës drejt Shtipit dhe Ohrit dhe i kanë shkaktuar dëm Buxhetit të shtetit prej së paku 155 milionë eurove. (MIA)