Mundësia reale që Maqedonia së shpejti të kyçet drejt NATO-s është diferenca më e madhe kur flasim për vendin sot në krahasim me të kaluarën, porositi ambasadori amerikan Xhes Bejli sot në tribunën “NATO dhe ti” organizuar nga Ministria e Mbrojtjes, Këshilli euroatlantik i Maqedonisë (ATA-Maqedoni), Zyra e NATO-s për lidhje dhe Ambasada kroate me rastin e Ditës së Aleancës – 4 Prilli.
“Çka do të thotë anëtarësimi në NATO për Maqedoninë dhe për qytetarët e saj? Kjo do të thotë se do të jeni aleatë, e jo partnerë, mik, fqinj me vendet e tjera anëtare. Sot kur shënohen 60 vite nga nënshkrimi i Marrëveshjes së Uashingtonit theksoi se Aleanca është aleate që bazohet në respektimin e të drejtave dhe lirive të njeriut, demokracisë dhe sundimit të drejtësisë.
Sipas Bejlit, niveli i ulët i sundimit të drejtësisë e bën të ndjeshëm vendin për korrupsion, por edhe për armiqtë e brendshëm edhe të jashtëm.
Shtoi se hyrja në NATO do të ndihmojë që të tejkalohen ndarjet e brendshme politike në vend. Theksoi se nevojitet që reformat sistematike që vendosen në Maqedoni të mos mbeten vetëm në letër, respektivisht ligjet që miratohen në Parlament më tej të implementohen në mënyrë praktike.
Në tribunën u drejtua edhe ministrja e Mbrojtjes, Radmilla Shekerinska, e cila përmendi se anëtarësimi në NATO është me rëndësi thelbësore për shkak se vendi do të bëhet pjesë e lidhjeve më të fuqishme ekonomike botërore që e kultivon demokracinë dhe është garantues për sigurinë për anëtarët e saj. Përmendi se në listën e vendeve me cilësi më të lartë të jetesës nga gjithsej 10, tetë të parat janë anëtare të NATO-s.
Shekerinska shtoi se hyrja në NATO do ta mundësojë progresin e papenguar ekonomik të vendit, ndërsa do të jetë garanci për demokratizimin e saj të mëtutjeshëm.
“Në 10 muajt e fundit treguam se indi demokratik në Maqedoni nuk ka humbur. Nëse i kyçni televizorët më nuk do të shihni propagandë. Qeveria nuk ik nga diskutimet dhe vendos politikë të punës transparente”, tha ministrja e Mbrojtjes.
Ministri i Financave, Dragan Tevdovski para pjesëmarrësve në tribunë theksoi se siguria në një vend të caktuar bazohet për rritjen e interesit të investitorëve për të dhe shtoi se pikërisht me hyrje në NATO do të ketë përmirësim në këtë proces. Si shembull i theksoi vendet nga fqinjësia, veçanërisht Shqipërinë dhe Bullgarinë dhe dallimet në vlerën e investimeve të huaja në to para dhe pas hyrjes në Aleancë. Niveli i investimeve të huaja në Shqipëri para hyrjes në NATO ka arritur rreth pesë për qind, ndërsa pas hyrjes është rritur në nëntë, plotësoi ai.
Ambasadorja kroate në Maqedoni, Daniela Barishiq ka bërë paralele midis dy vendeve në lidhje me integrimin e tyre euroatlantik, duke theksuar se Maqedonia dhe Kroacia ndajnë histori dhe mentalitet të njëjtë, të dyja kanë aspiratë të njëjtë – hyrje në BE dhe në NATO, diçka që vendi i saj tani më e ka realizuar.
Barishiq theksoi se para nëntë vitesh kur Kroacia u bë anëtare e NATO-s, rrethanat ishin shumë më ndryshe se sot, se kërcënimet tani janë më ndryshe. Përmendi se Kroacia në të vërtetë në NATO ka parë garant për sigurinë e saj duke e pasur parasysh atë që vendi në vitet e 90-ta të shekullit të kaluar është përballur me luftë qytetare. Stabiliteti politik dhe ekonomik është diçka pas çka fillimisht është vlerësuar Kroacia në rrugën drejt NATO-s, e jo modernizimi i forcave ushtarake, tha Barishiq, ambasada e të cilës është në të vërtetë zyra për lidhje të drejtpërdrejtë të Maqedonisë me Aleancën.
Shefi i zyrës për lidhje të NATO-s në Shkup, kapiteni i marinës Gorazd Bartol ka dhënë një histori të shkurtër për funksionimin e Aleancës për transformimin e vazhdueshëm të saj në tentimet që të përshtatet për sfidat e reja. Përmendi se nga viti 2001 pas sulmit terrorist më 11 shtator, NATO-ja ka hyrë në fazë të menaxhimit të krizës. Shtoi se rrethanat e sapokrijuara në mënyrë globale në botë tregojnë në lidhjen e kërcënimeve në cilëndo pjesë dhe se gjithçka është e lidhur. Për tërë këtë kontribuon edhe teknologjia e re që, sipas tij, jo çdoherë përdoret në mënyrë të duhur.
Në tribunë, fjalime hyrëse kanë pasur koordinatori kombëtar për NATOn, Stevo Pendarovski, kryetari i ATA Maqedoni dhe këshilltari për NATO-n i kryeministrit Ismet Ramadani, si dhe kryetari i Organizatës botërore ATA, Fabricio Luçioli.
Burimi: MIA
Përmbajtjet që i merr Civili nga burime tjera nuk i nënshtrohen licencës Creative Commons 1.0, e cila përndryshe është e zakonshme, për përmbajtjet të cilat i plason kjo platformë mediatike. Ju lutemi, konsultohuni me buruesit për marrje të përmbajtjeve të tilla.