Kategoritë

PIKËPAMJE Për Zaevin të pastra si kristali, për Gruevskin – zgjedhjet më kriminele deri tani

Lideri i LSDM, njëkohësisht kryeministër, Zoran Zaev, konsideron se zgjedhjet që u mbajtën më 15 tetor ishin të pastra si kristali, korrekte dhe të lira, me incidente të izoluara, gjë që konfirmuan edhe institucionet ndërkombëtare.

“Humbësi ka të drejtë të hidhërohet, unë atë e kuptoj. Nuk pashë aspak seriozitet në deklaratat që ai i dha. Me të vërtetë nuk mundem as logjikisht as racionalisht të konstatoj se cilat janë faktet, cilat janë arsyet ose çfarë konkretisht ka ndodhur në Maqedoni. Unë jam njeri racional, dëshiroj çdoherë të bisedoj, jam i gatshëm të pranoj korrigjime, të korrigjohem, si unë, ashtu edhe partia politike dhe partnerët e koalicionit, por në Maqedoni  fjalë për fjalë shkëlqeu vullneti i lirë i shprehur dhe absolutisht nuk ka dilemë për këtë”, tha Zaev në vizitën e tij në Kavadar.

Nga OBRM-PDUKM reagojnë dhe thonë se këto janë zgjedhjet e para ku drejtpërdrejtë ishte vrarë pjesëmarrësi në procesin zgjedhor. Një kandidati për kryetar komune i është thyer kafka, ndërsa çdo ditë vijnë dëshmi për kërcënime me armë, frikësim dhe ryshfet.

“Gënjeshtrat e Zaevit nuk do të mbulojnë faktin se u mbajtën zgjedhjet më kriminale deri tani. KSHZ ishte e vendosur nën kontroll të tërësishëm partiak, ndërsa anëtarët e saj të cilët nuk i dëgjuan urdhrat e Zaevit, ishin të frikësuar me akuza dhe padi nga PSP. Këto veprime kriminale një ditë do të hetohen, dokumentohen dhe për këtë do të ketë përgjegjësi”, qëndron në kumtesën.

Derisa OBRM-PDUKM fitonte në zgjedhje, ato ishin të zhvilluara në mënyrë “skandinave” pa asnjë vërejtje, tash, kur i humbën zgjedhjet pothuajse në tërë shtetin, për kryesinë e partisë këto janë zgjedhjet më kriminale deri tani. Për dallim nga OBRM-PDUKM, për LSDM këto zgjedhje ishin “kristal të pastra”, me incidente të izoluara. Ndoshta vrasja, përleshja, veturat nën flakë, shtëpitë…, nuk ndërlidhen drejtpërdrejtë me procesin zgjedhor, por ndodhën gjatë kohës së fushatës. Ndoshta kundërshtarët politik duhet t’i ndërrojnë “syzet” me të cilat i shohin zgjedhjet dhe ndoshta atëherë do të kenë pasqyrim të kristaltë se si zhvillohet procesi zgjedhor.

Dehran Muratov