Kategoritë

Gruevski është infantil dhe i papërgjegjshëm, po jo edhe më pak i rrezikshëm!

Nuk kaloi as një ditë nga vrasja e motivuar politikisht, lajmet për dhunë dhe mbjellje të urrejtjes vazhduan të arrijnë. Rrahjet, pa le të jenë edhe rrahje të thjeshta prej huligani a gangsterësh, tani marrin një domethënie politike shtesë. Temperatura po rritet.

Пишува: Џабир Дерала

Shkruan: Xhabir Deralla

Në rrjetet social po intensifikohen sulmet e shtabeve të mbushura përplot me gjuhë të urrejtjes e ofendime. Çarçafë të tërë me vokabular të ulët, vulgar, i cili, mes tjerash, dëshmon edhe për pagdhendësi, mosarsimim dhe mosnjohje të gjuhës.

Dhe ky është vetëm fillimi. Establishmenti politik në Maqedoni, i cili ende disponon me paratë e të gjithë qytetareve e qytetarëve, kurse me shpirtrat, mendjet e fatet e shumë vetave, po shërbehet me metodat e mirënjohura të nëntokës dhe me gjuhën e bandave do ta përthellojë agoninë. Unë vetëm po shpresoj se nuk do të ketë sukses. Jo kësaj here. Morbide, por shpresë për atë se njerëzit nuk do ta “blejnë” mashtrimin e përgjakshëm më jep reagimi i kumanovarëve në maj të vitit të kaluar, kur u bë “lufta e vogël” 48-orëshe me një grup terrorist (apo kriminel) në Lagjen e Trimave. Tragjedia në të cilën humbën jetën tetë policë me prejardhje të ndryshme etnike, prej të cilëve një nga bashkësia etnike e njëjtë si sulmuesit, nuk futi përçarje.

Përkundrazi, maqedonas, shqiptarë e serbë dolën në rrugët kumanovare dhe treguan besim e përkrahje. Jo vetëm që nuk u gjakosën, por ky episod i përgjakshëm, që shumë familjeve u solli dhimbje të patregueshme, i përafroi njerëzit. Ata “luftën e vogël” e interpretuan si të ndrequr, të inskenuar nga pushteti, për t’ kërcënuar qytetaret e qytetarët, pakënaqësia e të cilëve u rrit dhe kulminoi me protestë impozante më 17 maj. Se sa ka të vërtetë në të, së shpejti do të zbulohet në hetimin për këtë njëkatëshe të hatashme, por një është e sigurt – ata që duan të luajnë në kartën etniko-fetare do të duhet të investojnë shumë më shumë mund për të shkaktuar eskalim të dhunës.

Nga arkivi i CIVILit: Lagjja e Trimave, Kumanovë, maj 2015

Nga arkivi i CIVILit: Lagjja e Trimave, Kumanovë, maj 2015

Kjo nuk është rrëfim i djeshëm. Në orët e pasigurisë se a do ta shfuqizojë parlamenti vendimin e tij grotesk për t’u vetëshpërbërë në shërbim të edhe një vjedhjeje tjetër zgjedhore, duhet ta takojmë planin që po realizohet – të futet kaos dhe dhunë, të shkatërrohen sa më shumë jetëra, vetëm që të ridrejtohet rrjedha e ngjarjeve. Dhe të kërkojmë prej të gjithë neve përgjegjësi dhe ndërgjegje.

Incidente do të ketë. “Shkupit po i vjen era incidente”, shkroi kolegu im Ermini para disa ditësh dhe me të paralajmëroi edhe një pranverë të pasigurt për Maqedoninë. Të mos ketë huti – pozitat dhe paratë e vjedhura do të mbrohen në mënyrë të paskrupullt dhe të pamëshirshme. Në vitet e fundit të qeverisjes autoritare, karta etno-fetare ishte aduti më i mirë i politikanëve që nuk deshën, po edhe nuk ditën t’i shërbejnë popullit, por e përdorën si “shqelm” kundër “Vanhouteve e Katicave”.

Pikëlluese është të jetosh në një vend në të cilin të menduarit dhe të folurit janë kusht për jetë apo vdekje. Po jetojmë në një vend në të cilin dëgjueshmëria është kusht për atë se a do të kesh për të ngrënë sot apo jo. Këto ditë sërish e këqyra filmin dokumentar “Nuk kam as për bukë”, në të cilin një qytetar e përndau “skemën e tij të të ushqyerit” para kamerave të kolegeve të mia, Bibes dhe Arbanës. “Njeriu i varfër, dreq i gjallë”, thotë ai. “Nëpër furra, nëse një kifle sot kushton dymbëdhjetë denarë, nesër është dhjetë denarë, kurse në ditën e tretë, kur bëhet si lloç, ajo kushton pesë denarë. Pra, tri kifle të atilla do t’i blesh, me 15 denarë do ta kalosh ditën…”

Kjo anekdotë nga rrugët e qyteteve maqedonase më ndjek vazhdimisht. Dhe nuk e di çfarë është më e tmerrshme. Ajo që ka gjithnjë e më shumë lypës nëpër rrugë apo “lypësit moralë” që dinjitetin e vet e ndërrojnë për privilegje?

Kam edhe shumëçka çka të ndaj me ju sot, por, në mungesë të kohës dhe hapësirës, dua t’i jap mirënjohje një personazhi që futi freski të njëmendtë në këtë tragjikomedi. Ndërmjetësi Piter Vanhoute, njeriu që, përmes shembullit vetjak, tregoi çka është kulturë politike dhe dialog demokratik, dhe me atë tregoi edhe kreativitet dhe përshpirtshmëri, rrallë të para te ne. Ai do të mbetet i njohur edhe me tuit-memen e tij për demokracinë, që u bë hit në rrjetet sociale, e therë në sy për mediumet proqeveritare: #Demokracia kërkon kompromis, kërkon njerëz të arsyeshëm, kërkon mendje të shëndoshë, kërkon politikanë kompetentë, kërkon të jihet në shërbim të popullit!

Partia e Gruevskit aq shumë u tërbua nga qetësia, kushtimi e çiltërsia e tij, saqë një letër të tërë nga bashkësia ndërkombëtare në të cilën pushtetmbajtësve u mbajtën leksion për shkak të detyrimeve të papërmbushura, e shpërfillën dhe tërbimin e tyre e drejtuan pikërisht kundër tij.

Edhe pse Gruevski në fjalimin e grave të VMRO-DPMNE-së përmendte shqelma për të dhe Katica Janevën, as ai, as PPS-ja nuk treguan shenja frikë a hamendjeje. Vazhduan ta kryejnë punën e vet, të angazhhen ditë e natë për shtyrje matanë të procesit për dalje prej krizës. “Turisti” (siç e quan VMRO-DPMNE-ja, gjegjësisht Gruevski) Vanhoute vazhdoi ta ngasë bicikletën e tij dhe të tuitojë.

Për fund, kini parasysh se, edhe pse Gruevski po manifeston infantilizëm e papërgjegjësi të skajshme, ai nuk është më pak i rrezikshëm. Provokimet etno-fetare që do të vijojnë duhet patjetër t’i presim të përgatitur, të vetëdijshëm dhe me mendje të hapur.

Teksti është botuar në Plusinfo dhe në Slloboden Peçat më 24 shkurt 2016.