Presidenti i Partisë Popullore Evropiane, Manfred Weber, i ka dërguar një letër kryeministrit Edi Rama, në lidhje me incidenti ne ndodhur në Tiranë, gjatë vizitës së Fredi Belerit.
Weber ka dënuar sulmin me vezë dhe kos ndaj eurodeputetit Beleri, i cili ndodhi më 29 tetor pranë Kryesisë së Kuvendit, gjatë pjesëmarrjes së tij në takimet e Delegacionit të Komisionit Parlamentar të Stabilizim-Asociimit BE-Shqipëri.
Weber thekson në letrën e tij se sulmi ndaj Belerit, i cili ka statusin diplomatik si anëtar i këtij delegacioni, ishte një veprim i papranueshëm, i cili përfshiu dhunë verbale dhe fizike nga një protestues gjatë daljes së eurodeputetit nga Kuvendi i Shqipërisë.
Po ashtu, ai shtoi se ky incident është një dështim i shtetit pritës në garantimin e sigurisë dhe integritetit të një përfaqësuesi të Bashkimit Evropian, dhe shprehet i shqetësuar për mungesën e masave mbrojtëse adekuate në rastin konkret. Ai nënvizoi se incidenti mund të ishte parandaluar, nëse autoritetet shqiptare do të kishin marrë masat e duhura të sigurisë për misionin zyrtar të Belerit.
“Ky sulm përbën një dështim të shtetit pritës dhe, nëse do të ishin marrë masa sigurie, ai mund të ishte shmangur. E dënoj fuqishëm këtë incident dhe kërkoj që të siguroheni që incidente të ngjashme të mos ndodhin më, duke respektuar angazhimet ndërkombëtare të Shqipërisë,” përfundoi Weber.