CIVILi i dënon ashpër gjuhën e urrejtjes, nxitjen e urrejtjes etnike dhe thirrjet për dhunë dhe vdekje që grupet e tifozëve i promovojnë në vazhdimësi dhe vite me radhë. Ndërkaq, shkas për këtë dënim të ashpër është incidenti i grupit tifoz “Shvercerat”, të K.F. “Shkupi”, të cilët së bashku me tifozët e “Dinamo Zagreb” – “Bad Blue Boys” thërrisnin vdekje ndaj bashkësisë etnike serbe, më 26 korrik në arenën “Todor Proevski” në Shkup, dhe më herët në stadiumin “Maksimir” në Zagreb, më 19 korrik të vitit 2022.
Institucionet duhet urgjentisht, me vendosmëri dhe përfundimisht të merren dhe të sanksionojnë në mënyrë adekuate të gjitha grupet dhe individët që përhapin urrejtje dhe bëjnë thirrje për dhunë, është thirrja që CIVILi ka bërë vazhdimisht prej vitesh, pavarësisht se nga vjen urrejtja. Gjuha e urrejtjes nuk ka vend në tribuna!
Edhe drejtori i KF Shkupi, Omer Bunjaku, në një prononcim për CIVIL Media më 22 korrik, dënoi gjuhën e urrejtjes dhe thirrjet e pahijshme në tribuna gjatë ndeshjes së futbollit ndërmjet Dinamo Zagrebit dhe FC Shkupit, e cila u luajt më 19 korrik. në Zagreb në stadiumin “Maksimir” dhe u bëri thirrje tifozëve që të brohorasin me drejtësi dhe dinjitet pa gjuhë urrejtjeje.
Sa u përket thirrjeve që kanë ndodhur në stadiumin e Zagrebit, në “Maksimir”, ne si klub, i dënojmë ashpër fyerjet dhe nuk i lejojmë, ato janë në kundërshtim me rregulloren e UEFA’s, ndërsa klubi ynë është i gërshetuar me të gjitha nacionalitetet. Kemi nga Afrika, nga Maqedonia, Boshnjakë, Shqiptarë dhe tjerë, dhe të gjithë ata e bartin 100 përqindëshin e tyre dresin e klubit, deklaroi për CIVIL Media, Omer Bunjaku, drejtori i KF “Shkupi”.
Megjithatë, edhe përskaj thirrjeve të mos ketë gjuhë të urrejtjes në tribunat, skandimet e pahijshme vazhduan.
CIVIL angazhohet për një shoqëri në të cilën mbretëron liria, barazia dhe drejtësia, një shoqëri në të cilën qytetarët ndihen të sigurt dhe kanë besim në institucionet, ku siguria, liria e lëvizjes dhe liria e shprehjes garantohen me ligj dhe nga funksionimi efikas i sistemit.