Internet faqja News1.mk ka publikuar një shkrim me titull “(FOTO) Tifozët Shvercerat – Shkupi protestojnë në anën tjetër të Vardarit”. Teksti u shfaq gjatë protestave të dhunshme kundër zgjidhjes së BE-së për mosmarrëveshjen maqedonase-bullgare, të cilat u zhvilluan para tre institucioneve maqedonase, Kuvendit, Qeverisë dhe Ministrisë së Punëve të Jashtme, në mbrëmjen e 5 korrikut.
Ky foto “lajm” përbëhet nga një foto e turbullt e bërë nga një distancë që nuk shpjegon apo ilustron pretendimin në titull. Në tekst thuhet:
“Një grup më i madh i qytetarëve, adhurues të “Shvercerat – Shkupi”, të cilët me vete bartin ikonografinë e UÇK-së dhe thërrasin parulla nacionaliste, po protestojnë në anën tjetër të Vardarit, nën Kalanë e Shkupit, afër urës Goce Dellçev. Forcat e policisë po mbajnë grupin në atë pjesë të qytetit”.
Teksti përfundon me fjalët “Për më tepër, së shpejti…” dhe nuk është i nënshkruar.
Kjo është dezinformatë.
E vërteta është se është një grup tifozësh i klubit të futbollit “Shkupi” që është mbledhur për të mbështetur klubin e tyre sportiv. Tifozët u mblodhën në prag të një ndeshje futbolli që është pjesë e “Champions League” në të cilën luajti skuadra shkupjane e futbollit, Shkupi. Jo për të protestuar. Asgjë nuk mund të lidhej me protestat, përveçse ndeshja e futbollit u zhvillua në të njëjtën kohë me protestat.
Gjithashtu, uebfaqja News1.mk në tekstin e përmendur inkurajon paragjykimet dhe stereotipet etnike, pa ndjenjë përgjegjësie për dëmet që mund të shkaktojë në kohën kur shoqëria po përballet me procese delikate dhe sfida të sigurisë për shkak të eskalimit të protestave. Shprehja “në anën tjetër të Vardarit” e përdorur në titull dhe në tekst përdoret për të treguar përkatësinë etnike të shqiptarëve, edhe pse të paktën gjashtë bashkësi të ndryshme etnike jetojnë në të dy anët e lumit Vardar që rrjedh nëpër kryeqytet. .
Motivi i postimit të këtij dezinformimi mbetet i paqartë.
Gjatë protestave të dhunshme të organizuara nga partitë dhe shoqatat radikale politike anti-perëndimore, u plagosën 47 policë, 13 prej tyre me lëndime më të rënda, mes të cilëve dy në gjendje të rëndë. Mediat e internetit dhe rrjetet sociale ishin të mbushura me gjuhë të urrejtjes dhe thirrje për dhunë të bazuar në etni dhe orientim politik.
Ekipi Monitorues i CIVILit