Ftesa përmes SMS mesazheve për të marrë pjesë në tubim parazgjedhor të Bashkimit Demokratik për Integrim u janë dërguar stafit nga drejtuesi i një institucioni arsimor, me theks se pjesëmarrja është “e obligueshme”. Ky veprim iu raportua Ekipit të Monitorimit të CIVILI-it nga një punonjës i institucionit, i cili dëshironte të mbetej anonim, për shkak të pasojave të mundshme në punë.
“Dërgimi i ftesave është ne rregull, Por nuk është në rregull të kërkosh pjesëmarrje të obligueshme”, thotë personi i punësuar në institucion, i cili i dërgoi dëshmi ekipit të CIVIL -it për komunikimin me SMS dhe mesazhin nga drejtuesi i institucionit.
Një mesazh të tillë SMS kanë marrë edhe punonjës të tjerë në institucion, ndërsa nën presion të shtuar janë ata që nuk kanë vendime për punësim të përhershëm, të cilëve iu ndërmendet se duhet të dëshmojnë veten për të mbajtur punën, thotë personi që raportoi rastin.
Sipas ekipit juridik të CIVIL, një presion i tillë për të marrë pjesë në një tubim ose për të marrë pjesë në lloje të tjera të fushatës zgjedhore mund t’i nënshtrohet veprës penale të Detyrimit, në përputhje me nenin 139 të Kodit Penal, i cili thotë:
“Kushdo që me forcë ose kërcënim serioz detyron një tjetër të bëjë ose të mos bëjë diçka, do të dënohet me gjobë ose me burgim deri në 1 vit. “Nëse krimi kryhet nga një zyrtar që kryen shërbimin, ai do të dënohet me burgim nga 6 muaj deri në 5 vjet.”
Edhe pse në veprat penale kundër zgjedhjeve dhe votimit, presioni nuk parashikohet si krim, vepra më e afërt (mirëpo e ndryshme!) dhe e shpeshtë gjatë zgjedhjeve është Shkelja e lirisë së zgjedhjes së votuesve, neni 160 i Kodit Penal, i cili thotë:
“Kushdo që me forcë, kërcënim serioz ose në ndonjë mënyrë tjetër pengon ose detyron një tjetër të ushtrojë, të mos ushtrojë ose si të ushtrojë të drejtën e votës, do të dënohet me burgim të paktën 3 vjet. Nëse krimi është kryer nga një anëtar i një organi zgjedhor ose zyrtar tjetër në kryerjen e detyrave zyrtare në lidhje me zgjedhjet ose votimin, ai do të dënohet me burgim të paktën 5 vjet.”
Ekipi i monitorimit i CIVIL-it do ta ndjekë nga afër këtë rast, do të komunikojë me të gjithë palët e prekura dhe institucionet dhe do të informojë qytetaret e qytetarët për këtë. Njëkohësisht, CIVIL u kujton partive politike se veprime të tilla shkelin Kodin Zgjedhor dhe Kodin e Etikës që u firmos nga të gjitha partitë.
CIVIL kërkon nga partitë dhe kryesitë e tyre, veçanërisht atyre që janë në pushtet në nivelin qendror dhe lokal, të mos abuzojnë me detyrën e tyre publike për të ushtruar presion mbi punonjësit e sektorit publik në fushatën e zgjedhjeve lokale. Kjo vlen për të gjitha institucionet publike dhe administratën, por veçanërisht për arsimin, i cili duhet të lirohet nga shtërngesat partiake që e kanë mbytur prej vitesh.
Ekipi monitorues i CIVIL-it