Kryetari i Qeverisë, Zoran Zaev, u takua me Klemens Koja, shef i Misionit të OSBE-së në Shkup.
Në takim është biseduar për rëndësinë e politikave të mirëkuptimit, me qëllim të progresit të shtetit në plan vendor dhe ndërkombëtar. Bashkërisht është konstatuar se nevojitet përkushtim nga ana e të gjitha subjekteve politike në vend, për zgjidhje efikase të çështjeve në favor të qytetarëve dhe për Parlament funksional. Është vlerësuar se koncepti “Një shoqëri” për të gjithë jep rezultate dhe janë shprehur pritje të përbashkëta se shteti do të vazhdojë të zhvillohet në atë drejtim, njoftoi shërbimi për informim i Qeverisë.
“Udhëheqim politika gjithëpërfshirëse, me qëllim të arritjes së mirëkuptimit ndërmjet bashkësive etnike në shtet dhe ndërmjet pushtetit dhe opozitës – për çështjet kyçe në favor të qytetarëve. Jemi të përqendruar edhe në marrëdhënie të mira fqinjësore, në frymën evropiane jo vetëm për shkak të aspiratave tona në integrimet evropiane, por edhe si shtet me përgjegjësi i cili dëshiron të kontribuojë në paqen rajonale dhe botërore, veçanërisht si anëtare e re e NATO-s”, tha kryeministri Zaev.
Kryetari i Qeverisë, Zoran Zaev, falenderoi OSBE-në për mbështetjen e vazhdueshme të proceseve demokratike të shtetit tonë. Në atë drejtim, kryeministri Zaev njoftoi se është nder për Republikën e Maqedonisë së Veriut, që do të kryesojë me OSBE-në vitin 2023, për herë të parë pasi në vitin 1995 shteti ynë u bë anëtar i OSBE-së. Kjo, siç vlerësoi kryeministri Zaev është porosi e fuqishme edhe se shteti ynë është pjesë e familjes internacionale dhe paralajmëroi se besimi nga miqtë tanë ndërkombëtarë do të arsyetohet.
“Kemi përvoja në zhvillimin e shoqërisë multikulturore, zgjidhjen e çështjeve bilaterale, siç janë Marrëveshja e Prespës dhe Marrëveshja për Miqësi dhe Marrëdhënie të Mira Fqinjësore me Bullgarinë dhe do të vazhdojmë të kontribuojmë në bashkëpunimin rajonal dhe paqen botërore”, tha kryeministri Zaev.
Në takim i është kushtuar vëmendje edhe çështjeve nga sfera e legjislacionit zgjedhor, me të cilën kryeministri Zaev njoftoi se fokusi është vendosur në rekomandimet e OSBE-së për avancimin në këtë sferë. Gjithashtu ështe biseduar edhe për çështje nga sfera e ekonomisë, ekologjisë, energjetikës, investimeve, integrimeve evropiane, në drejtim të demokratizimit të mëtejshëm të shtetit, qëndron në njoftim.