Dymbëdhjetë organizata qytetare e nënshkruan kumtesën e sotme për opinionin nën titullin ” Është koha për një përgjigje të organizuar kundër propagandës së zezë, keqinformimit dhe gjuhës së urrejtjes”. Kumtesa transmetohet në tërësi:
ËSHTË KOHA
Është koha që shoqëria civile, e marrë në kuptimin e gjerë të fjalës, të marrë nismën dhe të refuzojë unanimisht dezinformimin e përditshëm dhe gjuhën e urrejtjes, të cilës nuk i mungojnë thirrjet e hapura për dhunë në komunikimin publik. Ekziston një nevojë e madhe për veprim të organizuar, me zë të lartë dhe pa dyshim kundër të gjitha formave të veprimit radikal të strukturave të caktuara politike në vend, veçanërisht kundër fushatave dezinformuese dhe gjuhës së urrejtjes në diskursin publik, shoqëror dhe politik në Maqedoninë e Veriut.
DËME
Organizatat e shoqërisë civile, mediat dhe publiku i gjerë tashmë kanë pësuar dëme të mëdha nga ndikimi shkatërrues i qendrave të propagandës brenda dhe jashtë vendit që synojnë kundër përcaktimeve afatgjata dhe strategjike të shoqërisë dhe shtetit. Disidenca politike nuk është dhe nuk duhet të shndërrohet në armiqësi dhe të bëje thirrje për kundërshtime deri në zhdukje. Kjo është në kundërshtim me të gjitha parimet ligjore dhe morale të funksionimit në një shoqëri demokratike.
KRITIKAT
Shoqëria civile, e cila përfshin edhe mediat, në pesë vitet e fundit ka treguar se ka një kapacitet të jashtëzakonshëm dhe ka dhënë një kontribut të madh dhe cilësor në procesin demokratik. Gjith ato janë mbrojtës të dukshëm dhe të suksesshëm të transparencës dhe llogaridhënies në proceset politike, duke arritur vazhdimisht dhe qëndrimisht të zbulojnë, analizojnë dhe kritikojnë politikat dhe praktikat e gabimshme të qeverisë dhe institucioneve.
FUSHATAT E ZEZA
Shpesh jemi dëshmitarë të heshtur të fushatave të zeza dhe pengesave në legjislaturë dhe kudo ku merren vendime dhe zbatohen politikat publike – komuna, institucione, shkolla, spitale, institucione publike dhe ndërmarrje. Qëndrimi armiqësor ndaj kundërshtarëve politik në komunikimet e brendshme dhe në publik, i praktikuar nga disa qendra të pushtetit në politikë dhe institucione, rrezikon drejtpërdrejt të drejtat dhe liritë e njeriut, interesat e individëve dhe komuniteteve, dhe në shumë raste ka potencial për ta rrezikuar stabilitetin dhe sigurinë në vend.
LUFTA PËR PUSHTET
Keqinformimi, teoritë e konspiracionit, gjuha e urrejtjes dhe thirrjet për dhunë nuk janë gjë tjetër veçse një luftë e zhveshur për pushtet me mjetet më të zeza të mundshme, të cilat janë në kundërshtim me ligjin dhe të gjitha standardet demokratike. Përitimi politik në kurriz të integritetit të institucioneve është jetëshkurtër dhe nuk sjell ndonjë të mirë për publikun, shtetin apo edhe për ata që bëjnë një luftë të tillë politike.
ABUZIME
Parti të caktuara politike, përfshirë edhe liderët e tyre dhe zyrtarë të lartë partiak, deputetët në kuvend, dhe madje edhe krerët e institucioneve publike, kanë abuzuar për vite me radhë pozitat, burimet publike dhe privilegjet e tyre për të përhapur dezinformata, urrejtje, frikë dhe ndarje në shoqërinë maqedonase.
ASKUSH NUK ËSHTË I ANASHKALUAR
Dihet prej kohësh që në shënjestër të fushatave shkatërruese janë kundërshtarët politikë, por edhe aktivistët, gazetarët, intelektualët dhe artistët. Fushatat janë të tmerrshme: bëhet thirrje për gjakderdhje, vrasje dhe linçim, fyhet dhe pështyhet me shprehjet më nënçmuese të mundshme, bëhen montazhe foto dhe video, bëhen gënjeshtra dhe shpifje të pacipa. As fëmijët nuk kursehen në këto fushata të urryera.
PËRGJIGJE E ORGANIZUAR
Lufta kundër kësaj rënie të pjerrët të vlerave themelore njerëzore nuk fillon dhe nuk mbaron në institucione, por tek qytetarët. Organizatat qytetare dhe media, si dhe të gjithë njerëzit e ndërgjegjshëm dhe të vetëdijshëm, kanë një detyrim moral të refuzojnë dhe të dënojnë vendosmërisht ata që gënjejnë, shpifin dhe fyejnë, të gjithë ata që përhapin urrejtje në çfarëdo baze dhe bëjnë thirrje për “llogaritje”, “dënime” të ndryshme dhe “shfarosje”. Mosmarrëveshjet janë shkak i debateve të argumentuara dhe madje edhe të nxehta, por jo të urrejtjes, shpifjeve, kërcënimeve dhe thirrjeve për dhunë kundër “të tjerëve” dhe “të atyre që dallojnë”.
Është e nevojshme të formulohet dhe drejtohet një përgjigje vendimtare dhe e organizuar ndaj propagandës, keqinformimit dhe gjuhës së urrejtjes. Vetëm atëherë përfitimet e kontributit të shoqërisë civile në proceset demokratike do të jenë të qëndrueshme dhe të dukshme. Përndryshe, do të lihet hapësirë për tendenca anti-demokratike dhe komunikimi publik do të kontaminohet me shkatërrim.
Qytetarët nuk i paguajnë politikanët për të mbjellë urrejtje dhe armiqësi, ata nuk paguajnë për t’i dëmtuar institucionet dhe proceset demokratike, por për të punuar dhe marrë vendime në interes të shoqërisë dhe shtetit.
Dënimi publik dhe refuzimi i urrejtjes do të krijojë një atmosferë në të cilën qendrat e propagandës do të ndihen të vetmuara dhe të izoluara dhe kjo do t’i inkurajojë institucionet të zbatojnë detyrimin e tyre ligjor – mbrojtjen e ligjshmërisë dhe të interesit publik. Sigurisht, institucionet mund dhe duhet ta bëjnë atë pa inkurajim publik, por kështu do të jetë shumë më lehtë.
Nga organizatat qytetare:
1. CIVIL – Qendra për Liri
2. Instituti për shkenca shoqërore dhe humaniste – Shkup
3. Fondacioni Metamorfozis
4. Asociacioni për iniciativë demokratike (ADI)
5. Shoqata LGBT Junajted Tetovë
6. Aktivo – Veles
7. Fondacioni Impakt Net – Veles ( liderë në misionin për paqe, liri dhe prosperitet)
8. Ekozvon
9. Shoqata për hulumtim, analizë dhe zhvillim ZELENA LLUPA
10. HERA – Asociacioni për edukim shëndetësor dhe hulumtim
11. Neksus Koncepti Qytetar
12. Qendra për iniciativë qytetare – Prilep