Plani i veprimit për bashkëpunim të ndërsjellë dhe mundësia për finalizimin e tij, në funksion të dakordimit të konferencës së dytë mes qeverive të Maqedonisë së Veriut dhe Bullgarisë ishin një ndër temat e takimit të djeshëm në Sofje mes ministrave të punëve të jashtme të dy vendeve, Bujar Osmani dhe Ekaterina Zaharieva. Pas takimit. Nga Sofja arriti mesazh se Bullgaria e mbështet integrimin evropian të vendit me realizimin e kushteve përkatëse.
Ministria e Punëve të Jashtme bëri të ditur se në takimin Osmani – Zaharieva janë shqyrtuar aktualitetet të lidhura me krizën e Kovid-19 dhe mënyrat se si dy vendet realizojnë bashkëpunim për t’u ballafaquar me këto sfida. Me këtë rast Zaharieva pohoi se po bëhen përpjekje për gjetjen e mënyrës për porosinë me vaksinat e premtuara për vendin.
“Në vazhdim të takimit është biseduar për Planin i veprimit për bashkëpunim të ndërsjellë, mundësi për finalizimin e tij, në funksion të dakordimit të Marrëveshjes eventuale të Konferencës së dytë ndërqeveritare mes dy qeverive, bashkëkryesues të së cilës janë të dy ministrat Osmani dhe Zaharieva. Bashkëbiseduesit shprehën mirënjohje nga bashkëpunimi i deritanishëm dhe shfrytëzuan rastin edhe për shkëmbime të mendimeve dhe tema tjera nga interesi i përbashkët i të dyja palëve”, shtohet në kumtesë.
Sipas MPJ-së bullgare, Zaharieva në takim e ka konfirmuar mbështetjen parimore të Sofjes për integrimin evropian të Maqedonisë së Veriut me përmbushjen e kushteve përkatëse.
“Të dy ministrat e shqyrtuan punën e përbashkët të përmbushjes së detyrimeve të Marrëveshjes për miqësi nga viti 2017 dhe biseduan për konvokimin e ardhshëm të konferencës ndërqeveritare, e cila do të mbahet kur të dyja palët do ta miratojnë projekt-protokollin. Pala bullgare theksoi se sipas Marrëveshjes së vitit 2017, në takimin e ardhshëm të Komisionit të përbashkët ndërqeveritar duhet të bëhet shqyrtim i plotë i zbatimit të Marrëveshjes që të miratohet raporti vjetor për punën e Komisionit të përbashkët ndërdisiplinor të ekspertëve për çështje historike dhe arsimore dhe të jepen aktivitete konkrete të ardhshme për bashkëpunim”, shtohet në kumtesë.
Në të njëjtën kohë, drejtor i Asociacionit sllovak për politikë të jashtme (SFPA), Tomash Strazhaj, porositi se mbështetja politike e Sllovakisë për Maqedoninë e Veriut për fillim të negociatave me Bashkimin Evropian është shumë e qartë dhe Bratislava është e përkushtuar ndaj asaj mbështetjeje.
“Mbështetja e qartë për fillim të negociatave u konfirmua nga ana e Sllovakisë së bashku me Republikën e Çekisë, në fund të vitit të kaluar në Samitin e BE-së, ku këto dy vende refuzuan të dakordohen me kushtet e padrejta që i imponuan disa vende anëtare të BE-së lidhur me procesin e integrimit të Maqedonisë së Veriut në Union”, tha Strazhaj.
Ai përkujtoi se mbështetja e Bratislavës ishte konfirmuar edhe me vizitën e kohë mëparshme të shefit të tyre të diplomacisë, Ivan Korçok në vend, më herët këtë muaj. Korçok, I cili e vizitoi vendin më datën 8 të këtij muaji, shfaqi shpresë se do të mënjanohen pengesat për miratimin e kornizës negociuese të Maqedonisë së Veriut me BE-në dhe se kjo do të ndodhë gjatë kryesimit portugez. Ai gjithashtu porositi që vendi t’I përkushtohet reformave, posaçërisht në luftën kundër korrupsionit.